Në Amfiteatrin e Durrësit është zhvilluar koncerti Albania Guitar Festival, duke sjellë një mbrëmje të mrekullueshme për të pranishmit. Koncerti u ndoq nga drejtoresha e institutit italian të kulturës Alessandra Bertini Malgarini, kryebashkiakja Valbona Sako, personalitete durrsake të artit, turistë dhe qytetarë durrsakë.
Në këtë mbrëmje speciale të festivalit të kitarës kanë interpretuar dy kitaristë të kitarës klasike të njohur ndërkombëtarisht Mircea Stefan Gogoncea nga Rumania dhe meksikano-kubanezi Arturo Castro Nogueras.
Një duet virtuoz të cilët gjatë turit të tyre në Evropë kanë ndaluar për herë të parë në Shqipëri, duke performuar muzikë latine dhe ballkanike në një mbrëmje speciale në amfiteatrin antik të qytetit.
Sako deklaroi se jeta artistike e Durrësit i mirëpret këto lloj aktivitetesh sepse sjellin risi dhe cilësi në niveli kulturor, ndërsa shtoi se bashkia do të vazhdojë të organizojë dhe të mirëpresë aktivitete të shumta kulturore të rangut kombëtar e ndërkombëtar.
Drejtori artistik i Albania Guitar Festival, Denis Bizhga, u shpreh se festivalet muzikore janë pjesë e aktiviteteve artistike të qyteteve që kanë një identitet kulturor ndaj edhe u përzgjodh Durrësi si një nga qytetet që mirëpret këtë festival dhe se në këtë festival marrin pjesë kitaristë të nivelit botëror, e kjo na bën krenar sepse ndikon drejtpërdrejt në promovimin e kultures dhe turizmit.
Albania Guitar Festival është një aktivitet muzikor që ka si qëllim të përhapë një kulturë dhe edukatë muzikore edhe për brezin e ri.