Teuta shpreson që të gjejë fitoren e munguar në kampionat. Por për ta bërë këtë, bregdetarët duhet të mposhtin Dinamon. Në prag të sfidës ka folur mesfushori, i cili luan pa problem edhe rolin e qendërmbrojtësit Albano Aleksi. Ai ka treguar se ndeshja vjen në një situatë të komplikuar për të dyja ekipet, të cilave u duhet medoemos fitorja.

Si është situata në ekip para ndeshjes me Dinamon, ka diçka që ju shqetëson?

Situata është optimale, të paktën për pjesën e mungesave jemi të qetë. Mungesa nuk kemi, as dëmtime, por as ndëshkime me kartonë të verdhë. Atmosfera është shumë e mirë para ndeshjes me Dinamon.

Si Teuta dhe Dinamo vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa ua vështirëson kjo dhe a besoni te fitorja?

Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme.

Si e shikoni sfidën ndaj Dinamos?

Si çdo sfidë të radhës. Në 29 javë ndeshjet kanë treguar që nuk ka sfida të lehta. Ekipet janë aty aty në performancë. Dinamo ka një ekip me lojtarë me eksperiencë, por edhe djem të rinj që duan të promovohen dhe janë të motivuar në çdo ndeshje. Në të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi edhe ne, se në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë.

Ju kënaq edhe një pikë të dielën?

E thashë edhe më lart. Ne do të shkojmë për tri pikë, pastaj 90 minutat i kanë të tria rezultatet brenda. Është një ndeshje e vështirë dhe si një pikë apo tri pikë kanë rëndësinë e vet.

Ka diçka që ju tremb parandeshjes me blutë?

Jo, asgjë nuk na tremb. Pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal kjo ndeshje, sepse është shumë e rëndësishme, kështu që nuk i trembem asgjëje, kam besim pasi ne kemi ekipin dhe lojtarët me eksperiencë, që dimë ta vlerësojmë çdo ndeshje njësoj.

Diferenca me ekipet poshtë?

Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë përdiferencën me ekipet që kemi afër. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshjeje.