ITALI – "Nuk doja ta bëja kurrë e për këtë kam pritur 10 vjet më shumë nga ç’duhej, por tani më kanë bindur që për arsye teknike duhet të paraqes kërkesën”. Kështu ka komentuar për ANSA këngëtari i famshëm italian Albano Carrisi, i cili ka paraqitur para autoriteteve kërkesën për ta shpallur të vdekur të bijën, Ylenia, e cila rezulton e zhdukur në New Orleans, SHBA, që nga 31 dhjetori 1994.
Mbyllet kështu një kapitull i dhimbshëm për familjen e këngëtarit pugliez, që për vite me rradhë shpresoi në një mrekulli. Kërkesa e Albanos, drejtuar Gjykatës së Brindizit, është publikuar në “Gazzetta del Mezzogiorno”, ndërkohë që u bëhet apel të gjithë atyre që kanë informacion mbi rastin në fjalë ta paraqesin atë në gjykatë brenda 6 muajve që nga data e publikimit të njoftimit.