Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar me vrasje.
Sipas televizionit publik RTK, institucionet e sigurisë në Kosovë, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia është përpjekur për vrasjen e Kurtit në Shkup.
Kryeministri Kurti, qëndroi mbrëmë në Shkup, ndërsa paraprakisht ishin marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.
Media kosovare raporton se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.
“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.
Ndërkohë, Kurti tashmë ka hyrë në Kosovë dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e tij.
Menjëherë reagoi Kurti, i cili konfirmoi se ka marrë kërcënime gjatë qëndrimit në Shkup. Sipas tij, kërcënimet kanë ardhur “nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”.
“Unë kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë porsa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me këto partitë socialdemokrate”, u shpreh kryeministri kosovar për mediat.