Pastiçieri artizan italian, sjell përvojën në prodhimin e akullores “Albita”, e gjitha me produkte natyrale!
Në fshatin Shkafane në Durrës, ish- komuna Ishëm, është hapur prej pak muajsh një biznes i cili rezulton të jetë i suksesshëm. Bëhet fjalë për gelaterinë “Albita”, investim i një emigranti të zonës, në bashkëpunim me një investitor italian. Emigranti pasi i pa të gjitha mundësitë për të investuar në vendlindje vendosi të ndërtonte një punishte akulloreje dhe ëmbëlsirash. Kjo për vetë faktin se në fshatin e tij, dy komponentët kryesorë: qumështi dhe frutat e freskëta, gjenden me shumicë në çdo stinë të vitit. Në fshatin Shkafane, ku ndërtua kjo punishte gjendet rruga nacionale që vijon për në zonën turistike të Gjirit të Lalzit, e tejmbushur me turistë të huaj e vendas këtë sezon vere.
Punishtja u ngrit pak muaj më parë dhe akulloret “Albita” me shijen e tyre të mirë të frutave të freskëta dhe të qumështit të fermerëve të zonës, kanë ngjallur interes tek një numër i madh baresh e restorantesh në të gjithë vijën bregdetare të Gjirit të Lalzit, pasi janë shijuar e pëlqyer nga klientela. Shijen e veçantë të tyre, me fruta të freskëta e kanë provuar shumica e turistëve që i drejtohen për pushime plazhit të Gjirit të Lalzit, kthehen këtu marrin akullore për t’u frekuar në ditët e nxehta.
E ndërsa banorët e zonës kanë qenë të parët që e kanë provuar akulloren “Albita” dhe kanë hapur namin e saj të mirë në të gjithë zonën .
Artizani italian erdhi e qëndroi për disa javë në këtë punishte duke ju falur punonjësve të gjithë eksperiencën e fituar në vite në prodhimin e akullores me qumësht e fruta të freskëta, po kështu ndau me ta edhe eksperiencën në pregatitjen e graniteve të freskëta me fruta të stinës.
Artiziani italian pohon në një prononcim për "Durrës Lajm" se bashkëpunimi erdhi natyrshëm me emigrantin shqiptar, sapo pa që në fshat gjendej gjithçka që duhej për prodhimin natyral të akullores.
“ Kam ardhur për një bashkëpunim me investitorin shqiptar dhe kjo rezultoi shumë e frytshme. Për vetë faktin se ne menduam të përdornim mënyrën natyrale të prodhimit të akullores dhe të ëmbëlsirave, sepse gjetëm shumë përbërës natyralë. Këtu në fshat piqen me shumicë frutat krejtësisht në mënyrë naturale. Po kështu edhe qumështi i lopës që përdorim për akulloret është natyral. Në fshat ka bar të gjelbër e kullota të pastra që do të thotë se edhe qumështi i lopës që përdorim për prodhimin e akullores dhe ëmbëlsirave të tjera është natyral, cilësor e i pasur me vlera ushqyese. Të gjithë përbërësit e prodhimeve tona janë natyralë nga fshati dhe kjo e bën të veçantë akulloren “Albita”.
Të gjithë përbërësit janë ujë, sheqer e fruta të freskëta për të bërë lëngun e frutave të freskëta. Qumësht, pana, sheqer, vezë dhe kakako përdorim për të krijuar kremin e akullores. Ne nuk përdorim përbërës kimikë, por vetëm përbërës natyralë”,- thotë pastiçieri artizan.
Mimoza Mullai është një prej punëtoreve të kësaj punishteje. Prej 20 vjetësh ka punuar në një pastiçeri në Greqi, ku edhe fitoi eksperiencë në prodhimin e ëmbëlsirave. Për Mimozën eksperienca e marrë në prodhimin e akullores nga artizani italian, ishte një mundësi e shkëlqyer në profesionin e saj. Mimoza tregon se klientela ka ardhur në rritje muaj pas muaji dhe klientët janë të kënaqur nga prodhimet e freskëta të kësaj punishteje. Dardha molla, qershia, portokalli, limoni, luleshtrydhja, janë vetëm disa prej frutave të freskëta që prodhohen në këtë zonë, që ka si prioritet bujqësinë dhe turizmin. Me këto fruta të freskëta që vijnë nga bahçet e banorëve të fshatit, por edhe me fruta të tjera ekzotike, si dhe me qumështin e freskët të fermerëve të cilët e sjellin çdo mëngjes në punishte, prodhohen shijet e ndryshme të akulloreve “Albita” dhe të graniteve të freskëta. Punonjësit thonë se ditë pas dite interesi për akulloren “Albita” është në rritje dhe se ajo kërkohet gjithmonë e më shumë nga klientët.
K.H.





