TIRANE-Konsorciumi “Vetro Energy” ka reaguar sot lidhur me afatin e fundit të vendosur nga ministria e Ekonomisë për garancinë që kjo kompani duhet të derdhë pas nënshkrimit formalisht të kontratës së blerjes sëAlbpetrol.



Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, “VetroEnergy” ka konfirmuar se i është kërkuar që të dorëzojë një garanci kontrate lidhur me negociatat për blerjen e Albpetrolit. Garancia e kërkuar është sa 20% e çmimit të blerjes. Ndërkohë aksioneri kryesor i “Vetro Energy”, Rezart Taçi, deklaroi se konsorciumi i ka kërkuar qeverisë një numër dokumentesh të lidhura me privatizimin. 



“Nga ana e saj, Qeveria ka kërkuar një garanci kontrate, të cilën “VetroEnergy” do ta japë brenda pak ditësh. Këto janë negociata komplekse dhe ka shumë detaje për t’u mbuluar. Gjithsesi, unë kam besim se së bashku me Qeverinë do të finalizojmë negociatat së shpejti dhe do arrijmë në një përfundim të suksesshëm të transaksionit."- deklaroi Taçi. 



Të hënën përmes një konference për mediat Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëri të ditur se fituesja e tenderit, “Vetro Energy”, nuk depozitoi garancinë prej 20% të vlerës së ofertës.