TIRANE– Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) ka nisur tashmë negociatat me kinezët e “Ëin Business”, të renditur të dytët në tenderin e privatizimit, ndërsa me “Vetro”-n, e cila paraqiti ofertën e majme 850 milionë euro, nuk i mbetet veçse t’i kërkojë garancinë e ofertës, prej 10%, raporton revista ekonomike “Monitor”.
Në tri përgjigjet publike të kryeministrit rreth çështjes në fjalë, opinioni nuk mësoi më shumë se “palët po punojnë, procesi ishte transparent”. Kryeministri Berisha njihet për euforinë e tij, por në rastin e megaofertës prej 1 miliard dollarësh, vetëpërmbajtja rezultoi më pas e justifikueshme. Dilema: I zotëron në të vërtetë Rezart Taçi 850 milionë euro për të blerë 100 për qind aksionet e “Albpetrol”? Biznesmeni bën diplomatin. “Natyrisht, këto para nuk i kam në xhepa, por gjenden në banka”, vijon shkrimi i “Monitor”.
Më 3 dhjetor, qeveria shqiptare duhet të kishte lidhur marrëveshje me amerikanët e “Vetro”-s për privatizimin e kompanisë së naftës. Por palët duket se nuk kanë rënë dakord, pasi Vetro kërkonte më shumë garanci mbi pronën që po blinte, duke u nisur nga fakti se “Albpetrol” ishte i mbuluar me shumë problematika ligjore dhe financiare, kurse Ministria e Ekonomisë thotë se kompania ishte në dijeni të fakteve, para privatizimit dhe pranoi të hynte në garë duke firmosur kushtet. Për të marrë pjesë në garë, çdo kompani depozitoi pranë një banke të caktuar shumën ekuivalente me 10% të ofertës, si dëshmi e aftësisë paguese (madje edhe banka duhet të ishte mes 50 më të mirave në botë!).





