Kryetarja e gruas në “Aleancën Kuq e Zi”Florentia Xheka ka komentuar në një prononcim për gazetën “Dyrrah“ zhvillimet më të fundit përsa i përket akuzave të kryeministrit Berisha ndaj kësaj Aleance, por edhe çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e kësaj Aleance me lëvizjen “Vetëvendosje“ apo dhe aktorë dhe faktorë të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Xheka ka deklaruar se synimi kryesor i Aleancës Kuq e Zi është bashkimi i trojeve shqiptare
Si është pritur nga ana e Aleancës Kuq e Zi qëndrimi i kryeministrit Berisha ndaj kësaj lëvizje në përgjithësi dhe z Kreshnik Spahiu në veçanti?
Qëndrimi i Kryeministrit është pritur si një qëndrim i padrejtë. Megjithatë të gjithë ne ishim përgatitur për një reagim të tillë për shkak se gjatë fundvitit 2011 Aleanca Kuq e Zi në shumë sondazhe që u mbajtën në të gjitha trevat shqiptare, por më shumë në Shqipëri, rezultoi se gëzonte një popullaritet objektivisht të madh, ndaj sulmet nuk do të mungonin.
Cili do të jetë reagimi i Aleancës Kuq e Zi në këtë situatë?
Aleanca Kuq e Zi nuk ka arsye të ndikohet nga kjo situate për shume arsye, por më kryesorja është misioni që kjo lëvizje ka marrë përsipër të udhëheqë, mision që lidhet ngushtë me mbështetjen e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Ne po punojmë pa ndalur për programin e AK, në Krujë prezantuam 10 prioritetet kryesore për të cilat janë ngritur 10 grupe pune që do te finalizojnë programin e Aleancës Kuq e Zi, i cili do të miratohet me Kongresin Mbarëkombëtar në muajin maj. Nuk do të pengohemi nga asgjë për të përmbushur misionin tonë.
Maxhoranca ka akuzuar z. Spahiu se “ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin e drejtësisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur“. Cili është opinioni juaj në lidhje me këtë çështje?
Aleanca Kuq e Zi është një lëvizje popullore, nuk është një subjekt politik, e për rrjedhojë jo vetëm z. Spahiu, por kushdo mund t’i bashkohet dhe të japë kontributin e tij vullnetar për të ruajtur dhe mbrojtur integritetin dhe identitetin kombëtar, sigurisht duke mos u cenuar aspak në angazhimet e tyre.
Si e shpjegoni faktin se akuzat ndaj Aleancës Kuq e Zi dhe z. Spahiu kanë ardhur në kohën kur në Kosovë ka pasur akuza jo pak të ashpra dhe ndaj “Lëvizjes Vetëvendosje”. A shikoni ndonjë paralele në lidhje me këtë çështje?
U fol gjatë në Shqipëri, sidomos mediatikisht, u ekzagjerua ideja se nga Tirana do të niseshin drejt Kosovës me 14 janar aktivistë të Aleancës Kuq e Zi. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Ndaj mendoj se dhe pyetja juaj lidhet pikërisht me një amulli informacioni që pati në javët e fundit për aksionin e VV.
Cila është shtrirja reale gjeografike e Aleancës Kuq e Zi dhe si po funksion maratona që keni ndërmarrë që me nisjen e regjistrimit të popullsisë?
Shtrirja e Aleancës është në çdo vend ku ka Shqiptarë, në Shqipërinë etnike dhe në diasporë. Ka degët përfaqësuesit e saj dhe aktivistët në Itali, Greqi, Angli, Bruksel, USA dhe jemi duke punuar për vendet e tjera.
Cilat shtresa të shoqërisë shqiptare i shikoni më afër Aleancës Kuq e Zi dhe si e vlerësoni ndikimin e saj jo vetëm në Shqipëri por dhe në Kosovë, trevat shqiptare apo diasporë?
Të gjitha shtesat e shoqërisë shqiptare, ata që ndjehen krenarë që janë shqiptarë, por më tepër duam të sensibilizojmë atë pjesë të shoqërisë shqiptare që nuk ndjehet e tillë. Sepse shqiptaria është vlera më e madhe që kemi, identiteti ynë, historia dhe legjendat që në kohën e Ilirisë.
Çfarë synon në thelb Aleanca Kuq e Zi. Cilat janë disa nga qëllimet dhe objektivat prioritare?
Aspiratën e madhe për bashkim kombëtar, bashkimin e trojeve etnike. Misionin e Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe shumë personaliteteve të shquara të kombit tonë dhe më pas të vazhdojmë misionin që filloi Fan Noli në Lidhjen e Kombeve, ndërsa ne në familjen e madhe Europiane. Zbatimin e preambulës së Kushtetutës të Shqipërisë për aspiratën për bashkim kombëtar.
Çfarë e garanton Aleancën Kuq e Zi që të ketë imunitet nga politika dhe të mos përfundojë si shoqatat apo lëvizjet e tjera që përfunduan në prehrin e partive politike?
Idealet e Aleancës Kuq e Zi, filozofia dhe shtyllat mbi të cilat po ndërtohet ëndrra e shqiptarëve.
Cilat janë disa nga veprimtaritë e Aleancës Kuq e Zi që do të donit t’i përmendnit në mënyrë specifike. Po në Durrës cila është shtrirja e Aleancës?
Aleanca Kuq e Zi, te gjitha aktivitetet e saj i zhvillon për një arsye madhore dhe me interes kombëtar. Arritja për të cilën unë personalisht ndjehem krenare është dështimi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, proces të cilin as vetë Greqia që na i diktoi nuk e ka realizuar. Është një kontestim që tregon vlera demokratike dhe respektim i të drejtave të gjithsecilit. Epidamni apo Dyrrahu është një nga qytetet më të rëndësishme në programin tonë, për vetë vlerat e çmuara dhe historinë që ka pasur në vite nga Mbretëresha Teuta, Mbreti Monun e shumë të tjerë. Jemi duke punuar në Durrës, dhe shumë shpejt do të dëgjoni, për misionin e Aleancës edhe në Durrës.
Cili është kalendari i radhës i veprimtarive të Aleancës Kuq e Zi?
Për axhendën e Komitetit të Gruas Kuq e Zi jemi duke themeluar Komitetin e Gruas në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ndërkohë Aleanca ka një kalendar misionar për të gjitha trevat dhe kombin Shqiptar të kudo ndodhur, për te cilin dhe ju do të jeni krenarë kur të vijë momenti.