TIRANE, 19 shkurt 2013-Kryetari i Aleances Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu është shpallur “Qytetar Nderi” i Shtetit te Nju Jorkut, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e tij në mbrojtje të interesave të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, me rastin e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. 

Aleanca Kuq e Zi bën të ditur se “me kërkesë të rajonit të “Manhatanit” dhe Presidentit të këtij rajoni Scott M. Stringer, Kreshnik Spahiu është shpallur qytetar nderi i Nju Jorkut duke u bërë i vetmi nënshtetas i huaj që merr këtë titull në një prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. 

Në ceremoninë e dhënies së çmimit Kreshnik Spahiu ka falenderuar komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Spahiut, ky çmim i dedikohet sakrificës së shqiptarëve ndër vite, që u përpoqën për Pavarësinë e Kosovës dhe jetën e tyre ja dedikuan krejtësisht ardhmërisë së Kosovës dhe shqiptarëve. 

“Për një shekull shqiptarët patën rrjedhje të brezave më të cmuar dhe më të devotshëm nga atdheu i tyre drejtë Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miliona shqiptarë punuan dhe djersitën për të ndërtuar Nju Jorkun, Bostonin, Cikagon, Londrën, Romën dhe shumë qëndra të tjera botërore, por ata nuk mundën të ndërtojnë atdheun e tyre. Disa breza braktisën familjet dhe tokën shqiptare të detyruar nga regjimet politike, në disa raste të huaja në disa raste shqiptare. Sot në atdhe ju priteni si të huaj sepse qeveria jonë ju numëron si turistë dhe ju ka mohuar të drejtën për të votua. Shqiptarët nga Kosova e Camëria, Ulqini e Tetova, Tirana e Shkodra, të gjithë në vitin 2013 duhet ta shndërrojmë nga 100 vjetori I copëtimit në nisjen e shekullit të ndryshimit të kombit shqiptarë. Ejani së bashku të ndryshojmë regjimet politike dhe ta shndërrojmë Shqipërinë në tokën e premtuar”, – deklaroi Spahiu.