Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit zhvilloi pasditen e së mërkurës një tryezë diskutimi me anëtarë të Partisë Demokratike Durrës dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile kundër dhënies me konçesion të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Një nga nismëtarët e kësaj Aleance, Aulon Kalaja, në një intervistë për “DurrësLajm” shpjegoi dy rrugët që po ndjekin për të ndalur këtë koncesion që e cilëson një rast të paprecedent dhe shumë korruptiv.

Po ecim në dy rrugë, e para është sensibilizimi i qytetarëve, ndërsa e dyta është “goditja” e ligjit në Gjykatë Kushtetuese. Ne jemi përgatitur me argumente, për të shpjeguar pse ky koncension është një lak që i varet shqiptarëve për shumë e shumë vite të ardhshme”

Në të njëjtën kohë, Kalaja i kërkoi presidentit ende në detyrë, Ilir Meta të mos dekretojë ligjin e kaluar në parlament, sepse kështu Aleanca do të ketë më shumë kohë në dispozicion për ta rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese.

Por a rrezikon Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit të dështojë në nismën e saj, duke pasur parasysh se një iniciativë e ngjashme, ajo për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nuk mundi ta çonte deri në fund misionin për mbrojtjen e godinës?

“Mendoj se nuk do të dështojmë, sepse avokatët i kemi shumë të mirë, për ta goditur ligjin në Gjykatë Kushtetuese”,- tha Kalaja.

Ligji që kundërshtohet nga Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit është ai i firmosur mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikan (AADF,) të cilët themeluan Fondacionin për menaxhimin e parkut kombëtar të Butrintit, një akord që ka afat 10-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi. Fondacionit i kalon e drejta e shfrytëzimit dhe përdorimit të parkut, por jo pronësia. Fondacioni detyrohet të respektojë klasifikimin si pasuri kulturore, por mund të kryejë ndërhyrje ruajtëse dhe mbrojtëse. Ndërsa tarifat për hyrjen e publikut do jetë nga 7 deri në 11 dollarë për të gjithë kohëzgjatjen e marrëveshjes.