Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka dorëzuar ditën e sotme në SPAK një kallëzim penal për prokurorin Sotir Kllapi.

Sipas kësaj aleance, prokurori Kllapi ka vendosur të mos regjistrojë kallëzimin penal dhe fillojë hetimet ndaj prokurores Manjola Kajana.

“Ne e çmojmë veprimin e prokurorit si bërje palë me zyrtarët e korruptuar, si solidaritet në shkelje të ligjit me kolegët e vet. Ne kemi argumentuar pse prokurori Sotir Kllapi ka shpërdoruar detyrën, duke u bërë palë me zyrtarët që shkelin ligjin. Ne sot kemi dy prokurorë të SPAK të kallëzuar. Ju garantojmë me fuqinë e ligjit se jemi të gatshëm të çojmë për kallëzim penal të gjithë prokurorinë e SPAK, nëse ata nuk do të veprojnë për dosjet tona”, tha Adriana Kalaja.

Kallëzimi i sotëm është i gjashtëmbëdhjeti në radhën e kallëzimeve të depozituara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit  në SPAK për çështjen e teatrit.