Në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Ballkanit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Athinë edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nga i cili mori mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.
Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi nga ana e tij nuk njeh aneksimin nga Rusia të pjesëve të territorit ukrainas.
President serb u shpreh në Instagram se pati një bisedë “të mirë dhe të hapur” me presidentin ukrainas në kuadrin e takimit të Ballkanit dhe se diskutuan për çështje të lidhura me integritetin territorial të të dyja vendeve.
“U shpreha se kur bëhet fjalë për çështjen e integritetit territorial, Serbia, në dallim nga të tjerë, është e sinqertë dhe mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
Ishte një bisedë e sinqertë dhe miqësore që shpresoj se do të krijojë bashkëpunimin me një vend që nuk i ka bërë dëm ndonjëherë Serbisë.
Mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës, për sa i përket integritetit territorial të Serbisë”, tha zoti Vucic.
Serbia ka dënuar në OKB dhe forume të tjera ndërkombëtare sulmin e Rusisë në Ukrainë, por nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, megjithëse vazhdon të ruajë tregtinë dhe bashkëpunimin ushtarak me aleaten tradicionale – Rusinë, ndërkohë që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe Beogradi nga ana e tij nuk njeh aneksimin nga Rusia të pjesëve të territorit ukrainas. Sipas Presidentit serb Vucic, në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin Beograd-Kiev, si dhe për situatën në komunat në veri të Kosovës.
Ndërkohë, ministrja e jashtme e Gjermanisë u pyet gjatë një konference për shtyp me ministrin e jashtëm të Estonisë për sulmet me dronë ndaj Rusisë dhe tha se Ukraina ka të drejtën të mbrojë popullin e saj.
“Rusia e sulmoi Ukrainën. Prandaj Ukraina ka të drejtën sipas Kartës së OKB-së që të mbrojë vendin dhe popullin e saj. Rusia është në shkelje të Kartës së OKB-së, e cila ndalon përdorimin e forcës. Rusia bombardon pa pushim objektiva civile në Ukrainë: depo drithi, spitale, kisha. Dhe Ukraina mbron veten brenda kuadrit të ligjit ndërkombëtar”, tha zonja Baerbock.
Gjermania po shqyrton mundësinë e dërgimit të pajisjeve për ta ndihmuar Ukrainën të pastrojë zona të gjera në pjesën juglindore të vendit, ku ushtria ruse ka vendosur mina të shumta për të penguar kundërofensivën e Ukrainës. /VOA