Dy gjysmëfinale në tre vjet: Masimiliano Alegri me Juventusin e tij kanë ditur si të ndalin tentativat e katalanasve, duke neutralizuar Mesin me shokë, të cilët nuk arritën t’u shënonin bardhezinjve në 180 minuta të luajtura. Rruga drejt Kardifit vazhdon, por tekniku i “Zonjës së Vjetër” preferon të mbajë profil të ulët:“Dua t’u bëj komplimente djemve për mënyrën si kanë luajtur gjatë gjithë këtij sezoni. Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër një ekipi të frikshëm. Normale që Barcelona luan në këtë mënyrë, por ne kemi ditur si ta ndalim.

Ky është një hap përpara, por rruga është ende shumë e gjatë”. “Kjo ndeshje dhe Real-Bajern kanë qenë dy sfida të mrekullueshme, pasi janë përballur 4 ekipet më të forta në botë. Duartrokitjet e 100 mijë spektatorëve në ‘Camp Nou’ është një reklamë shumë e mirë për futbollin. Ku duhet të përmirësohemi? Te mbajtja e topit, sidomos në pjesën e dytë: Ata linin shumë hapësira mbrapa dhe ne ishim të zotë për t’i shfrytëzuar, edhe pse duhet thënë se lodhja dhe energjia defensive ndikuan në finalizimin e lojtarëve.Jam shumë i lumtur për atë që djemtë po tregojnë në fushë, duke treguar se jemi rritur akoma më shumë se në 2015, kur u mundëm në finale nga Barcelona.

Të gjithë ishin të shkëlqyer dhe kanë bërë një ndeshje të madhe. Mund të luanim një ditë të tërë dhe përsëri nuk do të pësonim gol. Nuk e prisja të ishim kaq të konsoliduar mbrapa, duke i neutralizuar të gjitha sulmet e Barçës”, vijoi italiani. “Nëntë lojtarë të ndërruar që nga finalja e Berlinit? Kjo do të thotë se ndryshimet sjellin entuziazëm, por duhen bërë zgjedhjet e duhura, pasi shumë lehtë mund të shkatërrosh gjithçka. Shoqëria ka blerë lojtarë të mëdhenj dhe unë përpiqem t’i sistemoj në fushë. Nga janari kam ndryshuar skemën e lojës për të pasur një skuadër ndryshe”.