Teutën e pret një tjetër transfertë e vështirë. Të dielën nis pjesa e dytë e sezonit dhe ekipi bregdetar do të përballet në Kamzë me Kastriotin vendës. Mesfushori Albano Aleksi, shprehet se është gati për ta nisur vitin mbarë. Ai beson se Teuta ka shumë më mirë për të bërë.

Pas një faze përgatitore të shkurtër, a është gati Teuta për të zbritur në fushë?

Normalisht që jemi gati, mezi presim të rinisë kampionati. Kemi arritur ritmin e duhur në stërvitje. Mendoj se kjo periudhë na ka bërë mirë dhe duam ta nisim vitin me fitore.

Si është gjendja e grupit para kësaj sfide?

Fizikisht është mirë grupi, jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik dhe të jemi të qetë për ndeshjen me Kastriotin. Teuta duhet të bëjë ndryshe nga sa bëri në gjysmën e parë. Nuk ka asgjë që na shqetëson. Jam i bindur se skuadra do të reagojë.

Të dielën përballeni me Kastriotin në Kamzë, me çfarë synimi shkoni?

Unë mendoj se Teuta e ka potencialin për të ecur përpara, por duhet të kemi shumë kujdes, të punojmë shumë këtë periudhë, për të ndryshuar disa gjëra që të jemi akoma më shumë agresivë. Ndeshjen ndaj Kastriotit kemi filluar ta mendojmë që të hënën, normalisht do të shkojmë për fitore pasi ky tropikësh vlen shumë.

Si prisni të shkojë ndeshja dhe a mendoni se do të ndikojë fakti që luani në transfertë?

Mendoj se do të jetë një takim i hapur. Të dielën ne do të bëjmë lojën tonë. Do t’i sulmojmë për të gjetur golin sa më shpejt, por duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të duruar sepse Kastrioti është një skuadër e vendosur mirë mbrapa. Fakti që jemi në fushë kundërshtare nuk ndryshon shumë sepse ne shkojmë në çdo ndeshje për të fituar.

Ekipi është tërësisht i dubluar dhe rrjedhimisht konkurrenca është shtuar. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Gjëja më e mirë që mund të ketë një skuadër është konkurrenca. Mendoj se në këtë sezon kemi konkurrencë shumë të mirë dhe është diçka që do të na shërbejë të gjithëve që të rritemi si lojtarë.

A është kjo Teutë më e fortë se ajo e vitit të shkuar?

Synimi ynë dhe i klubit është ky, që ne të forcohemi vazhdimisht. Shpresojmë të kemi bërë afrimet e duhura dhe të tregojmë se jemi forcuar dhe mund të jemi më të fortë se vjet. Nuk dua t’i heq meritë futbollistëve që ishin pjesë e jona vjet sepse ishin ata që kontribuan për fitimin e titullin dhe në faktin se Teutën po e respektojnë më shumë kundërshtarët sivjet.

Mendoni se mund të bëni më shumë se sezoni i shkuar?

Dëshira dhe synimi ynë është që të bëjmë më mirë se sezoni i shkuar, por në futboll nuk del çdo gjë që thuhet ose ashtu siç e dëshiron. Ne duhet ta tregojmë këtë në fushën e lojës. Në stërvitje të gjithë jemi shumë të përkushtuar, çdo lojtar po bën maksimumin dhe na ngelet që gjatë garës të bëjmë realitet objektivat tanë.