Albano Aleksi është i bindur se një ekip që do të shpallet kampion, duhet të tregojë karakterin e tij duke mbrojtur kreun në fund, siç do të synojë të bëjë Teuta. Mesfushori i durrsakëve tregoi se si po e përballojnë këtë pjesë të fundit të sezonit, ndërsa bëri edhe një bilanc të rivalëve që do të kenë përballë deri në fund në garën për titull e Europë. “Vinim nga një ndeshje shumë e dobët me Tiranën në Durrës. Por e kemi treguar edhe herë të tjera, si kur humbëm në Laç e në Shkodër që nuk kemi luajtur mirë, kemi treguar se kthehemi shpejt.
Luhatjet? Në fund ndikon pak edhe lodhja se në kampionatin shqiptar nuk jemi mësuar të bëjmë ndeshje të shpeshta. Pastaj edhe terrenet, se stërvitemi nëb artificial e luajmë në natyral e kjo ndikon shumë. Por deri tani besoj se kemi bërë mirë.Vendi i parë ka shumë më shumë presion por një ekip i mirë e tregon forcën e karakterit dhe nëse është i aftë për ta mbajtur. Me këtë fitore të Tiranës, edhe lufta për Kupat e Europës është e fortë, rrezikojnë skuadrat që të mos marrin pjesë.
Protestat të gjyqtari? Karakterit im është i tillë dhe po të mos jem i tillë nuk luaj aq mirë. Nganjëherë arbitrat kanë të drejtë, po ne na duket sikur e bëjnë qëllimisht se na kanë dëmtuar, por edhe i kemi rënë në qafë. Ndaj çdo vendim, si pozitiv, si negativ, na duhet sikur na dënojnë. Unë kartonët i kam marrë më shumë nga llafet se nga ndërhyrjet.
Partizani është ekip shumë i mirë dhe është një nga pretendentët për titull bashkë me Teutën, pa hequr mënjanë edhe Vllazninë. Po t’i marrësh të gjithë rivalët, Vllanzia ka bërë një futboll të bukur, por Partizani është më cinik dhe më i kujdesshëm. Laçi është ende në objektivat e vet, por me këtë barazim, e ato të javës së kaluar, ka dalë pak nga rruga. Tirana me këto dy fitore është futur në garë. Në këto dy javë Partizani ka ndeshje pak më të lehta në letër, por Tirana ka shanse, se ka ekip të mirë. Por më shumë shanse për titull kanë ekipet më lart Tiranës të them të drejtën. Tirana do të luajë derbin dhe atë me Laçin, kaloi dy të forta, por i jep besim për të vazhduar e synuar vendin e parë e titullin. Por tani ekipet nuk duan të pësojnë gola se kush pëson është vështirë ta kthejë. Te Tirana kanë një treshe shumë cilësore, janë lojtarë shumë të shpejtë e teknikë. Na hapi shumë probleme, edhe pse nuk ishim në formë se nuk krijuam asgjë, pësuam dy gola për fajin tonë, goli i dytë ishte faktikisht gabimi i ynë, taktikisht zero, meritë edhe e tyre se na kapi pa përgatitur”, tha Aleksi.





