Teuta mposhti me rezultatin 1- 0 Partizanin ditën e mërkurë, duke u kthyer te fitorja. Albano Aleksi ishte një nga më të mirët në fushën e lojës për Teutën në ndeshjen ndaj të kuqve.

Mesfushori i durrsakeve u shpreh i lumtur pas ndeshjes me kampionët në fuqi dhe shpreson që ky sukses të jetë pika e kthesës për “djemtë e detit”.

Albano, Teuta arriti një fitore me rëndësi ndaj Partizanit…

Kjo ndeshje ishte e vështirë, sepse vinim pas një momenti jo shumë të mirë dhe mungesë rezultatesh. Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne dhe do të provonim gjithçka. Jemi të lumtur për 3 pikët. Për fat të mirë, i bëmë gjërat saktë. Shpresojmë ta mbyllim me fitore ndaj Flamurtarit.

Çfarë ndryshoi me ardhjen e trajnerit të ri në skuadër?

Unë dua të falënderoj profesor Shkëmbin për punën e bërë me skuadrën deri në ndeshjen me Kukësin. Trajneri Martini gjatë këtyre ditëve ka qenë me shumë në rolin e psikologut për ne, ku na ka motivuar për ta fituar ketë ndeshje dhe në fund ia arriti.

Mendoni se kjo ndeshje është pika e kthesës për sezonin në të cilin keni pasur shumë ulje-ngritje?

Shpresoj që të rikthehemi tek entuziazmi, të cilin jo se nuk e kemi pasur, por kur nuk fiton, të prish humorin. E rëndësishme është të fitonim kundër Partizanit, se është kampioni në fuqi dhe ishte nevoja të çliroheshim psikologjikisht. Kishim bërë ndeshje të mira, por na mungonin pikët. Kjo mund të jetë pika e kthesës.

Si është situata teknike në ekip dhe çfarë mendim keni për elementët që ka Teuta?

Kemi një skuadër të re që jep garanci për vazhdimësinë. Me një punë të mirë e të vazhdueshme, niveli i lojtarëve rritet. Sa u përket të dhënave teknike, ka vend për përmirësim. Dua të shtoj se një kampionat i fortë, sjellë edhe një Teutë të fortë. Me një ndeshje s’mund të pretendojmë se kemi kapur majat. Po përpiqemi të bëjmë maksimumin.

Ndeshja e fundit për 2019- ën, me Flamurtarin. Si e parashikoni këtë duel të radhës?

Flamurtarin e njohim dhe do ta analizojmë lojën që bën, por do të nxjerrim dhe gabimet tona. Dimë mirë pikat tyre të forta. Ata kanë në përbërje lojtarë me eksperiencë. Por, ne synojmë ta fitojmë ketë takim të fundit për këtë vit kalendarik. Ne do të futemi në fushë për të fituar, por sa do t’ia dalim, kjo mbetet për t’u parë në fushën e lojës. Aty do të shihet cili është ekipi më i mirë.

Mund të ndikoj fati në të tilla përballje?

Fati ndikon kur ndeshja shkon deri në sekondën e fundit, por futbolli është një sport ku bën diferencë kualiteti. Ekipi më i përgatitur, me lojtarët më cilësorë, ai fiton. Në të tilla ndeshje, jemi ne lojtarët faktori kryesor në fushë.