Kryeministri grek, Alexis Tsipras shtyn për një datë të pacaktuar vizitën e tij në vendin tonë. Ishte raportuar se do të vizitonte më 8 prill Korçën, me rastin e pashkëve ortodokse, por sipas të përditshmes greke Kathimerini, vizita është shtyrë për më vonë.

Gazeta greke shkruan se shtyrja e vizitës së Tsipras në Shqipëri, lidhet drejtpërdrejt me ndasitë që kanë Athina dhe Tirana në bisedimet për çështjen e detit.

Ndërkohë Tiranën e viziton për disa orë këtë të enjte, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, i cili do të takohet me homologun Ditmir Bushati. Në qendër të takimit pritet të jetë çështja e kufirit detar mes dy vendeve, por edhe disa tema të tjera për të cilat po negociohet, si ajo për tekstet shkollore dhe pronat e shqiptarëve në Greqi e njohur si çështja çame.