Vendimi i KPA-së për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën, për faktin që ai sipas këtij institucioni nuk mund ushtrojë asnjë detyrë në organet e drejtësisë ka ngjallur diskutim dhe mosmarrëveshje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).

Alfred Balla kundërshton lënien e detyrës si kryetar i KLP-së, gjë të cilën e ka bërë me dije edhe në një email drejtuar anëtarëve të KLP-së.

“Duke qenë një rast i veçantë i paparashikuar nga Kushtetuta dhe ligji organik dhe një vendim që cënon drejtpërdrejt interesat e mia, duhet të dëgjohem paraprakisht nga ky Këshill. Nuk do të ishte serioz dhe profesional përdorimi i një vendimi jopërfundimtar të organeve të rivlerësimit, me plotësimin e tij për zbatimin e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, pa u analizuar i gjithë vendimi i arsyetuar (ende nuk është zbardhur për fat të keq/është vënë në dispozicion arsyetimi i përmbledhur) e në uniformitet me të gjitha dispozitat kushtetuese dhe ligjet e tjera organike dhe rrethanat faktike të rëndësishme. Këshilli duhet të ketë parasysh se, unë jam anëtar i KLP-së i zgjedhur nga Kuvendi prej përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare që më ka mbaruar mandati ligjor 5 vjeçar prej datës 18.12.2023 dhe që aktualisht po qëndroj në detyrë…

Nuk e përjashtoj mundësinë që një pjesë e qejfmbetjes ndaj meje vjen edhe si reagim i mbrojtjes publike në media e kudo, që unë i kam bërë prokurorëve e sidomos 5 ish anëtarëve të KLP-së të shkarkuar nga KPA-ja, ku për dy prej tyre deri tani ka vendime pozitive prej Gjykatës së Strasburgut. Do të kërkoja prej Jush të më respektohen të drejtat e mia kushtetuese për tu dëgjuar jo vetëm formalisht, por edhe të analizoni e vlerësoni të gjitha problemet ligjore, që kanë lindur per shkak të konfuzionit të vendimit të 3 prej 5 anëtarëve të KPA-së, pasi nuk jeni para një vendimi të shkarkimit të një magjistrati dhe për pasojë deklarimin e mandatit të tij për shkak të ligjit, si në rastet e trajtuara më parë nga ky Këshill (Sevdari, Cani, Dollapaj etj.)”, thuhet ndër të tjera në letrën e tij.

Kujtojmë se ditën e sotme Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur për të vendosur mbi largimin e Alfred Ballës. Tartar Bazaj, nënkryetari i KLP-së është ai që drejton këtë mbledhje ndërsa të pranishëm janë 10 anëtarë ku nuk kanë munguar debatet mes tyre.