ITALI – Pjesëmarrja e piktorit të njohur shqiptar Alfred Mirashi në ekspozita të ndryshme ndërkombëtare nuk është më një fakt i ri. Artisti i njohur e ka përfaqësuar denjësisht vendin tonë në shumë evenimente ndërkombëtare duke u nderuar me shumë çmime të para. Por në ekspozitën e rradhës ku është ftuar të marrë pjesë e që do të zhvillohet në Itali me rastin e 150 vjetorit të piktorit të famshëm Gustav Klimt, Miloti nuk do të jetë i vetëm. Ai do të shoqërohet nga poeti durrsak Ilir Paja, i cili ka bërë një poezi mbi pikturën me të cilin Miloti do të prezantohet në ekspozitën “Io Klimt”.  

Ekspozita do të ngrejë siparin në datë 9 shkurt, ora 12.00, në një nga sallat e Pallatit të Konsujve, në komunën e Gubbio-s, Itali. Ajo organizohet nën përkujdesjen e kuratorit Francesco Gallo Mazzeo. Në ekspozitë do të marrin pjesë rreth 50 artistë italianë, të rinj dhe të afirmuar, veprat e të cilëve janë një homazh për piktorin e njohur austriak Gustav Klimt. Ekspozita “Io Klim” (Unë Klimti) nuk i dedikohet një gjinie të vetme të artit, por piktorë, skuptorë, fotografë e poetë do të mblidhen së bashku si homazh për piktorin e pavdekshëm, për veprën e tij sa unike, aq dhe avangardiste e eksperimentale.

Alfred Mirashi do të prezantohet me pikturën diptik “Çelësat e parajsës”, ndërkohë që poeti durrsak Ilir Paja merr pjesë me poezinë “Nëse djalli ka të drejtë”.

Poeti Paja që në moshë të re ka publikuar poezitë dhe prozat e tij të shkurtra në organet e shtypit të kohës si “Zëri i Rinisë”, "Mehr light" si dhe ka botuar disa vëllime me poezi. Ai ka marrë pjesë në disa nga edicionet e Poetekës si dhe në festivalin ndërkombëtar të poezisë në Palermo, në vitin 2011.

Kjo është poezia me të cilën do të përfaqësohet poeti durrsak Ilir Paja në ekspozitën “Io Klimt”.  

                                      Nëse djalli ka të drejtë…    

                              Nata s’mund të jetë veshja mishtore e djallit.

                              Kur njerëzit e pijnë vetë terrin deri në mëngjes.

                              Përmes ëndrrave njerëzimi zbret nga çdo lartësi.

                              Dhe trupat njerëzorë marrin identitet çelësash…

                              Nëse mes qiellit e dhèut ka një Purgator,

                              atëherë çelja e kësaj dere s’mund të jetë e lehtë!

                              Ajret ku fryma është ëngjëllore s’ka mëkate.

                              Sepse çdo pafundësi erërash ndjek nga pas

                              Ngjyra ylberi…

                              Nëse djalli ka të drejtë…

                              Çdo ngjyrë është mbresë estetike e Zotit.

                              Por dhe çdo ngjyrë është jo pak dhe tundim trupor.

                              Vetëm këtu djalli s’mund të ketë të drejtë…

                              Mëngjesi është vetë njeriu, vetë ditët e lë t’i rri

                              Drejtësi mbi krye.

                              Duket se djalli ka vërtet të drejtë…

                              Nëse çelësi-qenia jonë  rrotullon qiejt njëherësh.

                              Dhe nëse në portat që presim të hapen,

                              në fund të një qiellnie ka ende një dritare.

                              Atëherë djalli le të ulet mbi parvaz qoftë dhe zog.

                              Por të sprovojë veten; a mundet të hapë kanatet e saj.

                              Kur në dhomë njeriu pret për mik vetë ngjyrën e pafundësië.

                              Përjetësinë! E cila duhet të zgjedhë krahët për ngritje.

                              Një djall shumë ngjyrësh ka të drejtë!

                              Nëse nata që i jep të pijë njolla të zeza, mëkate njerëzore,

                              i dhuron agun për shikim…

                              Ç’fuqi për të njohur cilindo prej nesh,qoftë dhe marrë peng

                              Prej djallit.Nëse ka të drejtën e kthimit pa etjen për natën.

                              Dhe nëse hijen dhuron erë…pa ngjyrë,si vetë  përjetësia!

 

   Nga Ilir Paja, korrik 2012.