25 prill 2014 – Vendimi i marrë nga Adnan Januzaj për të zgjedhur përfaqësuesen e Belgjikës përballë kombit të tij ka sjellë reagime të shumta në media, rrjete sociale dhe në cdo vatër shqiptare. Në këtë debat në lidhje me zgjedhjen e tij janë përfshirë jo vetëm tifozët shqiptarë kudo në botë, por edhe ish lojtarë të kombëtares shqiptare. Adrian Aliaj është një nga ish lojtarët e Shqipërisë që reagon ashpër ndaj zgjedhjes së kryer nga lojtari i Manchester United.
Vlonjati, që prej disa vitesh drejton një agjensi menaxhimi lojtarësh, zgjedhjen e gabuar të 18 vjeçarit, ja faturon babait të tij, Abedin Januzajt. Në faqen e tij personale në Facebook, Aliaj e ka cilësuar babain e tij injorant por edhe për mungesë të theksuar patriotizmi.
Adriani nuk kursen kritikat edhe për prindërit e Valmir Berishës, i cili luan me kombëtaret e moshave të Suedisë.
“Kjo është hera e dytë që po jap një koment në lidhje me angazhimin e lojtarëve shqiptarë në kombëtare. Mendoj se problemi nuk është Adnan Januzaj ose Valmir Berisha. Problemi qëndrron te injoranca dhe mungesa e patriotizmit nga ana e prindërve, të cilët shikojnë interesa të ngushta familjare. Të vish në kombëtare nuk është një zgjedhje, por është një detyrim që ka çdo shqiptar që e ka shqiponjën në zemër”,- ka shkruar Aliaj në Facebook.
Për rastin më të fundit të Januzajt, vlonjati më shumë e ka me prindërit e lojtarit që shikojnë interesat private, sesa me lojtarin. Aliaj mbahet mend nga gjithë tifozët kuqezi për atë gol fantastik të shënuar ndaj Greqisë në 4 shtator 2004 kur Shqipëria mundi 2-1 kampionët e Europës, Greqinë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





