Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar pasi kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj prezantoi një draft-platformë për krizën në PD.

Me anë të një statusi në rrjetin e tij social “Facebook”, Boçi ka shkruar se platformat individuale të cilat nuk kanë miratimin e grupit parlamentar të PD-së, sjellin përçarje.

Reagimi i Plotë nga Luçiano Boçit:

Platformat individuale që nuk kanë miratimin e Kryesisë së Grupit Parlamentar e të vetë Grupit Parlamentar edhe sikur të pikuara nga qielli të jenë, sjellin vetëm dasi e përçarje.

Integriteti i Grupit Parlamentar, i dëshmuar në mbledhjen e tij, nuk mund të shpërdorohet e të keqpërdoret duke hedhur si konsum mediatik e publik, në formën e konspekteve, ato mendime të shkëputura që i shkojnë për shtat vetëm hartuesve të platformës.

Bashkimi është një proces politik nëpërmjet votës së lirë që ka nisur e po vazhdon e do të jetë gjithëpërfshirës.

Respektimi i tij është akt bashkimi.

Bashkimi nuk mund të bëhet as me platforma individuale e as me konspekte e nënvizime fjalësh pa kontekst, të shitura si kolegjiale, pa kaluar në asnjë vendimmarrje.