Startoi me një perspektivë premtuese, devijoi gjatë rrugës dhe përfundimisht zeroi të gjithë punën njëvjeçare me humbjen e statusit kandidat në BE. Kjo është kurba apo trajektorja e ulje-ngritjeve të zhvillimeve politike në vend, specifikisht roli i opozitës në jetën parlamentare, e parë në analizën njëvjeçare të deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj. Ai e ndau në tri faza veprimtarinë politike përgjatë 2012-ës, e që në gjykimin e tij, edhe pse pati një nisje të mirë, sërish opozita nuk devijoi nga qasja e saj bllokuese, duke vepruar tërësisht në kundërshtim me interesat e qytetarëve. “Do ta ndaja në tri faza, e para i përket veprimtarisë së politikës, asaj parlamentare, e cila ishte një fazë ku u ulën tonet politike, u gjet gjuha e përbashkët pas dy apo tre vitesh dekonstruktizëm.

Është për t’u vlerësuar kontributi i opozitës në kalimin e një shumice ligjesh me 3/5, e cila shpejtoi ritmin e kërkesës dhe perspektivës për marrjen e statusit. Faza e dytë është mesi i këtij viti, që kishte të bënte me sfidat e vendimmarrjes së Parlamentit me zgjedhjen e krerëve të disa institucioneve, si kreu i KLD-së, Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm. Sjellja e mazhorancës në këtë drejtim ka qenë në interes të publikut, e opozitës jo, të gjitha zgjedhjet tona ishin jopartiake. Faza e tretë është qasja në lidhje me kulmimin e marrjes së statusit kandidat, rezultati i së cilës dihet tashmë. Një fluks politik opozitar që ka treguar një lloj kompleksi persekutimi sa u përket proceseve elektorale”,- tha ai.

Çdo lëvizje demografike e popullsisë që mund të sjellë rishpërndarjen e 4 mandateve të deputetëve, nuk është në dëm të socialistëve, por demokratëve, tha Alibeaj, lidhur me mosdakordësinë PD-PS për rishpërndarje e numrit të deputetëve, e megjithatë ai shprehu vendosmërinë e selisë blu për ti shkuar deri në fund çështjes sado që nuk favorizohen prej saj. “Për këdo, i cili mund të ketë ndonjë kompleks të vogël persekutimi elektoral në këtë rast, ja pra që ku është zgjidhja.

Mund të shkojnë në komunat përkatëse, të marrin të dhënat, të marrin informacion dhe mund ta ballafaqojnë me të dhënat që ka Drejtoria e Përgjithshme Civile dhe këtu zgjidhet gjithë historia. Nëse nuk do e zgjidhin për ndonjë tek, zgjidhja qëndron në Kolegjin Zgjedhor. Pa asnjë lloj mundësie të krijojë ngërçe politike”, thotë Enkeled Alibeaj, deputet i PD-së. Sipas deputetit,- ligjvënësit socialistë që kanë dyshime mbi vërtetësinë e shifrave të lëvizjeve të popullsisë të shkojnë t’i verifikojnë në bashkitë e komunat, pa rrezikuar vonesa të mëtejshme të procesit.

“Nëse do të ndodhë që zvogëlohet një mandat në qarkun e Beratit, ai mandat i ikën PD-së, nëse mund të ndodhë që për shkak të këtyre lëvizjeve të pakësohet numri i mandateve në qarkun Kukës, përsëri këtë mandat i ikën PD-së dhe shkojnë respektivisht ose në qarkun Durrës, ose në qarkun Tiranë, që nuk e dimë se kush e merr, për shkak të kapriciove të formulës. Që do të thotë si në njërin dhe në tjetrin rast të dëmtuar nga kjo histori është Partia Demokratike”,- deklaroi Alibeaj. I pyetur lidhur me ofertën e PD-së për zgjedhjet e ardhshme dhe mundësitë për koalicione ai u përgjigj: “Kjo është pak herët, do vijë koha që do të ofrohet kontrata e re e kësaj force për tu nënshkruar nga qytetarët.

Ajo që dinë shqiptarët është që ne kemi ditur të japim premtime elektorale të arsyeshme pa asnjë lloj fryrje, u kemi dalë përballë atyre, u kemi treguar se kemi bërë të gjitha sforcat e kësaj mazhorance për aq sa fuqi kishte dhe për aq sa i takon këtij numri politik në Kuvend kemi bërë maksimumin. Ne s’kemi arritur të realizojmë ato reforma që vareshin edhe nga opozita, ndoshta duhet të gjenim forma për të rrëmbyer edhe votën e opozitës. Gjithçka e kemi bërë, e kemi bërë në mënyrë transparente, në sytë e të gjithë shqiptarëve.

Një mazhorancë që ka arritur të shikojë shqiptarin në sy, për të pranuar ato që s’ka mundur të bëjë, por edhe për të pasur kurajën të kërkojë një tjetër mandat nisur nga ato çfarë ka realizuar në këto dy mandate. Sot, më shumë se kurrë ky vend është më europian. Koalicioni është funksional edhe në kundërshtitë e tij, megjithatë  masa e besimit që do të marrin nga qytetari do të përcaktojnë dhe marrëdhëniet me qeverinë e ardhshme”,- tha deputeti Alibeaj.