Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj i ka dërguar një letër Komisionit Evropian dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë në lidhje me projektin për ndërtimin e portit të Durrësit.

Alibeaj thotë se në këtë letër ka paraqitur shkeljet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit lidhur me parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit.

Deputeti shprehet se qeveria shqiptare ka pranuar se nuk është zhvilluar asnjë garë lidhur më këtë projekt dhe se kompania fituese ka qenë përcaktuar prej fillimit.

‘Një hall i madh e ka detyruar Edi Ramën të sulmojë të gjithë ata që janë kritikë dhe skeptikë për projektin fantazmë të portit të Durrësit. Një projekt që praktikisht u rrëmben shqiptarëve një nga pak pasuritë e mbetura publike dhe që iu dhurohet me një projekt qesharak të përzgjedhurve dhe klientëve të kryeministrit. PD nuk është kundër investimeve serioze, as kundër investitorëve që duan të zhvillojnë bizneset e tyre në Shqipëri. Por në kushtet kur drejtohemi nga një qeveri që na ka faktuar se di veç të abuzojë dhe të vjedhë pasuritë e shqiptarëve, është domosdoshmëri së paku transparenca. Deri më sot qeveria dhe kryeministri kanë heshtur dhe grupi parlamentar i PD ka vendosur që shqetësimin e tij për portin e Durrësit t’ja bëjë prezent dhe Komisionit Europian.

Nëpërmjet një letre të dërguar ditën e djeshme kam informuar Komisionin Evropian dhe Delegacionin e BE-së në Tiranë lidhur me projektin e Portit të Durrësit. Në thelb të letrës, paraqiten shkeljet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit lidhur me parimet e konkurrencës së lirë (neni 71) dhe mosdiskriminimit (neni 74). Cdo ndihmë shtetërore – sanksionon MSA – që shtrembëron rregullat e konkurrencës, vjen në kundërshtim me këtë Marrëveshje. Qeveria shqiptare ka pranuar se asnjë garë nuk është zhvilluar lidhur me këtë projekt dhe kompania fituese ka qenë e përcaktuar prej fillimi. Projekti i Portit të Durrësit mund të jetë një rast unik në botë ku shteti ofron 818 mijë metra katrorë pronë publike, si dhe përjashtime nga taksat, me një vlerë totale 730 milionë euro, për të marrë mbrapsht vetëm 280 milionë. Vështirë ta thuash se ku qëndron leverdia ekonomike e shtetit shqiptar në këtë projekt.’- shkruan Alibeaj.

Më tej në letrën e tij, ku informon zyrtarët e europianë, Alibeaj shton se investitori ka marrë përsipër 2.1 miliardë euro, në një kohë që ofron 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliardë Euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura.

‘Nga ana tjetër investitori ka marrë përsipër të realizojë një investim 2.1 miliardë euro, në një kohë që ai ofron vetëm 160 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 1.94 miliardë Euro do të sigurohet nga palë të treta të panjohura. Shtuar këtu faktin që kompania mëmë është e regjistruar në Ishujt Kajman, cka krijon qartazi një rrezik të lartë për pastrim parash. Duke vepruar kështu qeveria shqiptare jo vetëm ka shkelur rëndë parimin e konkurrencës së lirë, por ka diskriminuar cdo kompani shqiptare dhe europiane që mund të ishte e interesuar për t’u përfshirë në këtë projekt. Madje kjo do të ishte në interesin e vetë shtetit shqiptar, pasi mund të merrte një propozim më të leverdisshëm.’- shkruan Alibeaj.

Alibeaj kërkon nga Komisioni Europian dhe delegacioni i BE-së që të ndjekin më vëmendje këtë rast dhe në përputhje me procedurat e tyre të hetojnë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian.

‘Në vëmendje të BE-së sollëm edhe raste të tjera të mëparshme, ku qeveria nëpërmjet ligjeve speciale iu ka akorduar pasuri, të drejta dhe privilegje kompanive private, cka tregon se kjo praktikë është kthyer tashmë në rutinë për qeverinë shqiptare. Me anë të kësaj letre kërkojmë nga Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE-së të ndjekin më vëmendje këtë rast dhe në përputhje me procedurat e tyre të hetojnë mbi përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me parimet dhe standardet e MSA-së dhe legjislacionit evropian.’- shkruan Alibeaj.