Kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka falenderuar zgjedhësit që iu drejtuan kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre të lirë, duke vlerësuar maturinë e tyre për të dhuruar një proces të qetë zgjedhor.
Përmes një deklarate për shtyp, Alibeaj shprehet se në këtë betejë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë.
“Gjatë gjithë ditës Partia Demokratike ka denoncuar të gjitha problematikat që shoqëruan sot procesin zgjedhor, por nga ana tjetër vlerëson maksimalisht qytetarinë e shqiptarëve që falë qetësisë dhe maturisë së tyre, dhuruan sot një proces të qetë zgjedhor, pavarësisht përpjekjeve për intimidim, manipulim, praktikat e shitblerjes së votës apo cënim të këtij procesi. Partia Demokratike falenderon gjithë ata që sot iu drejtuan kutive të votimit duke ushtruar demokracinë e drejtëpërdrejtë të zgjedhjes me votë.
Partia Demokratike, si parti e vlerave euroatlantike, i ka konsideruar dhe i konsideron zgjedhjet si e drejtë e qytetarëve dhe jo partive politike.
Partia Demokratike falenderon kandidatët që ndërmorën sfidën për të përfaqësuar të djathtën e vërtetë, ata djem, vajza burra e gra që u rreshtuan në anën e duhur të historisë duke përfaqësuar logon e PD në garën për këshillat bashkiakë.
Faleminderit pafundësisht për ju që përballë gjithë politikës së vjetër në pushtet dhe jo, oligarkëve, dhe krimit të organizuar që i mbështesin, qëndruat dhe i dhatë shpresë Partisë Demokratike, demokratëve dhe gjithë shqiptarëve.
Në këtë betejë kundër të gjithëve, PD tregoi edhe njëherë se është padyshim e vetmja alternativë qeverisëse për të nesërmen e Shqipërisë.
Padyshim vlerësim e mirënjohje për të gjithë komisionerët e Partisë Demokratike në qendrat e votimit të 61 bashkive të vendit të cilët menaxhuan në mënyrë perfekte një proces jo të lehtë për shkak të presioneve e parregullsive të shumta që shoqëruan votimin.
Gjithashtu PD inkurajon të gjithë anëtarët e grupeve të numërimit në misionin që ata kanë në orët në vijim për të numëruar korrekt çdo votë të hedhur në kuti. Vota e shqiptarëve është në dorën e tyre dhe misioni për garantimin e saj është i shenjtë.
I kujtojmë të gjithë atyre që mendojnë apo do të provojnë të prekin votën e shqiptarëve, se çdo përpjekje për tjetërsim të votës është vepër e rëndë penale dhe si e tillë dënohet nga ligji zgjedhor dhe kodi penal.
Partia Demokratike është e bindur se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe shqiptarët do të ndahen përfundimisht me politikën e vjetër duke i dhënë frymëmarrje Shqipërisë në rrugën drejt BE”- tha Alibeaj.