Socialistët dhe demokratët që mbështetën Enkelejd Alibeajn, votuan me 94 vota pro për mosnjohjen e certifikatave të pastërtisë së komisioneve Bezhani e Mezini për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.
Enkelejd Alibeaj së bashku me deputetë të PD-së ka zhvilluar sot një takim me intelektualë lidhur me çështjen e hapjes së dosjeve, dhe ka dhënë informacion më të detajuar në lidhje me amandamentin e propozuar nga deputetët e drejtuar prej tij, që u miratua në Parlament.
Enkelejd Alibeaj: Dosjet e Sigurimit të Shtetit të mos jenë më sekrete, të mos jenë më të kyçuara, të mbyllura në bodrume të errëta, thënë ndryshe koncepti i deklasifikimit. Dosjet nuk janë më sekret shtetëror. Në terma juridikë do të mjaftonte vetëm kjo automatikisht, që të jenë të afta për t’u aksesuar dhe për të marrë kopje nga kushdo që ka një interes të vetin. Çdokush tjetër, publiku ka të drejtë bazuar në ligjin për informimin të paraqesë një kërkesë dhe të kërkojë informacion dhe kopje të infomacioneve në dokumentet e Sigurimit të Shtetit. Përveç se është një interes individual i secilit prej viktimave, ka një nevojë për të kujtuar dhe rikujtuar sot atë që ka qenë makineria e dhunës së Sigurimit të Shtetit.
Së dyti, është e udhës që e vërteta e mbajtur në dosjet e Sigurimit të Shtetit të mos serviret e përpunuar. Çdokush duke marrë kopje, ta shohë dhe ta analizojë vetë se cila ka qenë e vërteta e atyre dosjeve, e Sigurimit të Shtetit, pa filtra, pa përpunim dhe të krijojë vetë të vërtetën nga pasja në dorë e këtyre dokumenteve. Kjo ishte një nevojë e domosdoshme dhe që krijon sipas nesh atë që konsiderohet si proces i hapjes së dosjeve për çdokënd dhe në favor të çdokujt.
Amandamenti parashikon dhe disa elementë për çështje që kanë lidhje me sigurinë kombëtare, nuk hapen si informacione, ngelen në të njëjtin status juridisk si më parë.
E drejta e çdokujt për të ju drejtuar dhe ai që ka interes do të duhet të tregojë, të hapë të dhënat, rrethanat se për cilat dokumente, dosje, individë kërkon që t’i studiojë dhe të marrë një kopje të tyre.
Hapja e dosjeve ka si synim informimin e publikut shqiptar, do të thotë që secili të kuptojë se çfarë ka ndodhur. Së bashku me informimin mund të ketë edhe dëshira, sensibilitet dhe ndoshta ndonjë ndjesi për të keqpërdorur informacionin.
Në amandamentin e miratuar, çdo individi që ka interes, duhet të nënshkruajë një marrëveshje me Autoritetin e Dosjeve që do ta marrë informacionin por që nuk do ta keqpërdorë atë për shtantazh apo për ta nxjerrë jashtë kontekstit.
Këto janë ato që janë miratuar si amandamente në ligjin aktual për dosjet. Ligji është një ligj i thjeshtë për të cilin maxhoranca mund ta votonte pa ne. Ato deputetë të PD-së që e kanë votuar këtë ligj, kanë një falenderim personal, ky është një akt patriotik dhe do të jetë një ndër më të rëndësishmit në karrierën e atyre që e votuan. E paraqitëm atë amandament si një detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare. Ndodhi që dhe nga PS u mbështet ky amandament dhe unë nuk kam kompleks të them se ne ia arritëm për të hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit.
Në fund të fjalës së tij, Alibeaj është shprehur se është e nevojshme dhe një ristabilizim i vlerave ideologjike në politikë.
Enkelejd Alibeaj: Ne pretendojmë se duke nisur nga ky stad, por dhe këto iniciativa të tjera, është e nevojshme dhe një ristabilizim i vlerave ideologjike në politikë. A jemi ne një parti anti-diktaturë? A duhet të krijojmë një psikozë brenda vetes? Duhet të jemi të qartë në idetë tona.
–Propozimi i grupit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj
Në nenin 20 ··Garantimi i të drejtës për informim”. Pas pikës 1. shtohet pika 1/1 me përmbajtje si më poshtë: Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka detyrimin të publikojë bibliografinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 Korrik 1944 deri më 2 korrik 1991, të deklasifikuara plotësisht sipas këtij ligji. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit.