Kryekomisioneri, Ilirian Celibashi, është pyetur ditën e sotme, lidhur me deklaratën e ditës së djeshme të kreut të komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, në “Opinion”, i cili tha se PD zyrtare edhe pse ka kaluar më shumë se dy javë nga fushata zgjedhore, nuk ka marrë asnjë lekë nga buxheti i shtetit.
KQZ në shpërndarjen e parave, për fushatën zgjedhore të subjekteve politike, i caktoi PD 1 milion euro.
Celibashi i ftuar në Panorama TV është përgjigjur se KQZ merr vendim për sasinë e parave që u shpërndahet partive politike nga buxheti i shtetit dhe kaq, ndërsa ka shtuar se mund të bëjë një kërkesë nga pikëpamja formale.
Pyetje: Kryetari në detyrë i PD-së ka deklaruar se KQZ nuk na ka dhënë paratë për fushatën zgjedhore. Si qëndron e vërteta?
Celibashi: KQZ merr vendim për sasinë e parave që u shpërndahet partive politike nga buxheti i shtetit dhe kaq. Nuk di të them i kanë marrë apo nuk i kanë marrë këto para, por ne e kemi marrë vendimin. KQZ mund të bëjë një kërkesë nga pikpamja formale.
Pyetje: A e ka depozituar PD zyrtare listën e komisionerëve?
Celibashi: Po i ka depozituar për një pjesë, për një tjetër pjesë akoma jo.
Pyetje: Mund të shmangej, apo mund të kishte një vendim që koalicioni Bashkë Fitojmë të kishte numërues në të gjithë Shqipërinë?
Celibashi: Në fakt e përcakton ligji se kush janë partitë politike që kanë të drejtë për numrin e numëruesve. KQZ dhe KAS ka vendosur se kush janë partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të grupeve të numërimit. Kjo është një lloj përgjegjësie që partitë duhet ta ushtrojnë. Një parti që ka numërues, nuk ka privilegje dhe avantazhe. Numëruesi është garant i procesit edhe për subjektet që nuk kanë numërues.
Pyetje: ISP ka nxjerrë që Elbasani, Durrësi dhe Shkodra janë bashki me rrezikshmëri të lartë në ditën e zgjedhjeve. A do të merrni masa shtesë?
Celibashi: Bashkëpunimi mes KQZ me institucionet e tjera ekziston dhe ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me drejtorinë e policisë së shtetit dhe me organin e prokurorisë. Gjithësecili ka vëmendjen e tij mbi ato aspekte ligjore.