“Në tetor 2017 erdha në Shqipëri për një pushim 3 ditor, duke mos ditur asgjë për vendin, njerëzit apo kartëmonedhat që do të tërhiqja nga ATM-ja. Ishin një zinxhir ngjarjesh kurioze, disa të lidhura me fatin, disa me rakinë, që e shndërruan atë fundjavë të gjatë në atë që unë shpresoj të jetë përgjithmonë”.

Kështu e nis librin e saj kushtuar Shqipërisë, gazetarja britanike Alice Taylor. Prej 7 vitesh, ajo jeton së bashku me nënën dhe vajzën në vendin e shqiponjave dhe mbrëmjen e së mërkurës ndodhej në Durrës për të promovuar librin “Alice in Albania”, mes personaliteteve të artit dhe kulturës, kryebashkiakes së qytetit Emiriana Sako, miqve dhe dashamirësve të saj.

Ky libër, i cili vjen në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, mund të shërbejë shumë mirë si një guidë për turistët e huaj dhe shqiptarët e diasporës, për të njohur çdo cep të panjohur të Shqipërisë.

Panelistët që morën fjalën gjatë takimit vlerësuan aftësinë e gazetares Taylor për të depërtuar në kulturën, traditën, zakonet shqiptare, por edhe komunitetet e vogla në zona të thella për t’i nxjerrë ato nga anonimati dhe për t’i sjellë pranë lexuesit. Për Taylor, Shqipëria është kthyer në shtëpinë e saj dhe ky do të jetë vetëm libri i parë dedikuar vendit tonë.   

“Gjithë jeta ime është në Shqipëri. Kam vajzën, kam shtëpinë. Edhe mami im jeton në Shqipëri tani. Anglia nuk është shtëpia ime, është vendlindja, por Shqipëria shtëpia ime. Unë kam aplikuar për pasaportë shqiptare dhe shpresoj që pas pak kohësh të jem shqiptare”.

Deri më tani, gazetarja Alice Taylor ka shkruar për rreth 1000 aventura në Shqipëri, por shumë të tjera e presin ende…

M.B.