1nentor 2015 – Debatet e disa ish-kolegëve që shoqëruan një intervistë të këngëtares Alida Hisku lidhur me dhunimet dhe përdhunimet nga ish- pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit janë edhe më trishtuese se vetë dëshmia e saj. Këngëtarë, poetë, të dënuar apo dëshmitarë të përgjimeve dhe survejimeve nga ishSigurimi dhanë versionet e tyre, lidhur me atë ç’kish ndodhur, apo që pretendohet që ka ndodhur. E gjithë historia u trajtua a thua se është me rëndësi që të gjejmë nëse rrëfehet krejt e vërteta, nëse ka pasaktësi, apo nëse kanë pasur apo jo ndjenja pjesëtarët e ish-Sigurimit.

I gjithë ky qëndrim në fragmentarizimi e së keqes që ka ndodhur dhe banalizimi i historive me gjetje detajesh, nuk është as rasti i parë e as rasti i fundit. Duke sjellë dëshmi lokale, individuale, në këto vite, kemi harruar atë më të madhen: Se sistemi ishte kriminal dhe se në atë stallë çnjerë- zore kishin pak rëndësi detajet. Më e keqja është se, janë personazhe që i kanë vuajtur ato dënime, që marrin përsipër të sqarojnë detaje të ndryshme, duke shmangur kështu atë që duhet të kishim thënë me zë të lartë: sistemi krijoi monstra! P.sh., duke dashur të japë detaje, këngëtari Sherif Merdani, që e ka provuar në kurriz ç’do të thotë të dënohesh, shprehej dje në media se: “Alida Hisku është spiunuar nga i shoqi!”. Aq më keq nëse ka ndodhur kështu. Sepse ky është një detaj që tregon edhe më shumë se sa ta kishin spiunuar të tjerë, sepse tregon që shoqëria kish degraduar deri në atë pikë, sa as burri me gruan, as vëllai me vëllain e me motrën, nuk mund të kishin besim te njëri-tjetri, por te Partia!

Më tutje nuk ka më fjalë. Ka vetëm greminë mendore e shpirtërore. Një greminë ku ramë aq thellë, sa nuk kemi mundur ta ngjisim ende, pikërisht nga ky fragmentarizim që i kemi bërë së shkuarës, duke e relativizuar të keqen, duke e sjellë atë si normale. Gazeta “Panorama” ka botuar kohë më parë, një promemorie të vitit 1952, të formuluar nga Mehmet Shehu, kur ai ishte ministër i Brendshëm, ku Sigurimi i Shtetit orientohej që të rekrutonte si agjentë për interesat e pushtetit pjesëtarë nga klasa e të përndjekurve dhe ish-pronarëve, pra nga ajo shtresë që quheshin “të deklasuar”, me qëllim që të kishin mundësi t’i akuzonin nëse ndodhte që të ndërrohej pushteti.

Është pikërisht ky akt, dhe shumë të tjerë që e pasuan atë akt, që tregonte natyrën e mirëfilltë kriminale të sistemit, i cili e shihte njeriun si një mjet, si një kavie. Pre e provokimeve kanë rënë sidomos pjesëtarët e vëzhguar nga këto shtresa, dhe pasoja e atyre akteve është ndjerë në këto 25 vite, kur ndaj ish-të përndjekurve janë bërë presione të jashtëzakonshme që ata të heshtin.

E për ironi, dyshimi më i madh për këtë presion bie pikërisht mbi ata që kanë qenë edhe rekrutuesit e emëruar nga Partia dhe Sigurimi i Shtetit. Në këtë rrjedhë, debatet e derisotme, me dëshmi kontradiktore, me gjëra të qena e të paqena, si në rastin e këngëtares Hisku, kanë qenë në rrjedhën e moszbardhjes së të djeshmes, duke vijuar të na e lënë dëmin e atij njeriut që krijoi Partia edhe në përditshmërinë tonë. Po të kishim lexuar si du het atë devijim të jashtëzakonshëm që iu bë njeriut të asaj kohe, që u quajt “njeriu i ri”, me siguri që do të kishim ditur t’i jepnim përgjigje disa hapave që nuk mundëm dot t’i bënim në këto 25 vite, e që rrezikojmë ende t’i bëjmë, për shkak se ende nuk kemi mundur ta lexojmë të shkuarën tonë si duhet.

Çdo fragmentarizim i së keqes nuk bën asgjë tjetër, veçse zgjat agoninë, ndërkohë që krijon idenë përpara fëmijëve se faji paska qenë i të gjithëve. Ky qëllim i mbrapshtë, i lig, është kthyer në një qëllim kriminal, duke bllokuar rrugën tonë reale për leximin e së djeshmes dhe duke rrezikuar që fëmijët të mos e njohin dot fytyrën e së keqes që kaloi për pesëdhjetë vite mbi qytetarët e këtij vendi. Leximi përmes personazheve, pa nxjerrë në dritë nxitësit e vërtetë të atij dehumanizimi, do të vijojë të ngarkojë edhe më keq leximin e së djeshmes, e për pasojë edhe të hapave që po hedhim ende.

Pasi, duhet pohuar, që mungesa kaq e madhe e reagimit qytetar për shumë çështje vjen nga kultura e gjysmë shekullit, ku shqiptarët u kurdisën vetëm për duartrokitje e jo për të protestuar, për të kërkuar të drejtën e tyre. Ndaj e djeshmja është e rëndësishme të lexohet. Të paktën për të ndalur këtë teatër të turpshëm, ku kërkohet të fajësohen të gjithë njëlloj. Gabim që nisi me shprehjen “bashkëvuajtës e bashkëfajtorë!”.

/Panorama/