Ambasadori Genc Muçaj paraqet letrat kredenciale, ndërkohë që në Baku hapet fotoekspozita “Land of Eagles”

BAKU, 15 nëntor 2013 – Azerbajxhani është i interesuar për zgjerimin e lidhjeve me Shqipërinë, ka deklaruar Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev më 14 nëntor 2013, kur pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Shqipërisë në Azerbajxhan Genc Muçaj, njoftojnë mediet e Bakusë, që i referohen sajtit zyrtar i kreut të shtetit të Azerbajxhanit. Nga ana tjetër më 15 nëntor 2013, ora 19:00, në Baku hapet fotoekspozita “Vendi i Shqiponjave”. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë nuk dinte gjë, të paktën deri në orën 15:30!

MUÇAJ

Pasi ambasadori i ri shqiptar në Baku Genc Muçaj kaloi në revistë rojën e nderit, i paraqiti letrat e tij kredenciale Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Alijev. Gjatë bisedës ambasadori i përcolli kreut të shtetit azer përshëndetjet e presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Muçaj vuri në dukje lidhjet e ngushta midis dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit. Diplomati shqiptar nënvizoi me kënaqësi se nën udhëheqje e Presidentit Ilham Aliejev është forcuar pozita ndërkombëtare e Azerbajxhanit, njoftohet nga Bakuja.

ALIJEV

Nga ana e tij, Alijevi tha se lidhjet mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë po zhvillohen me sukses. Azerbajxhani është i interesuar për zgjerimin e lidhjeve me Shqipërinë, duke vënë në dukje rëndësinë e projektit të përbashkët energjetik TAP me ndikim rajonal dhe se ka mundësi të mira për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme të ekonomisë. Presidenti i Azerbajxhanit i shprehu ambasadorit dëshirën për t’u transmetuar përshëndetjet e tij presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë.

“LAND OF EAGLES”

Në galerinë “Natavan” në Baku, më 15 nëntor 2013, ora 19:00, do të hapet fotoekspozita “Land of Eagles” (Vendi i Shqiponjave, shih posterin poshtë), me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas Këshillit për Artin i Azerbajxhanit (Arts Council Azerbaijan), në ekspozitë do të paraqiten fotografi, që pasqyrojnë kulturën, historinë dhe zhvillimin e Shqipërisë së sotme, njofton agjencia azere e lajmeve “1news”. Ekspozita në Baku organizohet nga ambasada e Shqipërisë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Azerbajxhanit dhe Arts Council Azerbaijan. Në veprimtari parashikohet të marrin pjesë zyrtarë të lartë, përfaqësues të kulturës dhe artit, si dhe diplomatë të akredituar në Baku. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për tri ditë.  

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/