23 dhjetor 2014 –  Mbrojtësi i krahut të majtë, Naser Aliji, do të jetë lojtari i parë nga Maqedonia në Kombëtaren e Shqipërisë. 20-vjeçari është nga Kumanova dhe aktualisht luan për kampionin e Zvicrës, Bazeli. Ai ka konfirmuar se ka vendosur ta veshë fanellën kuqezi. Aliji tashmë është në pritje të ndeshjes së ardhshme të Shqipërisë dhe të ftesës zyrtare nga trajneri Xhani De Biazi, i cili ka shfaqur haptazi interesim për shërbimet e tij. Për momentin, Aliji llogaritet ende si pjesë e shpresave U- 21 të Zvicrës (ka luajtur edhe për grupmoshat e tjera të shtetit helmet). Sakaq, vetëm Aliji thotë se për të ka pasur interesim edhe nga përfaqë- suesja A e Zvicrës, si dhe nga ajo e Maqedonisë.

Mirëpo lojtari është i vendosur që të luajë për Shqipërinë:  “Është e vërtetë që më ka ftuar Shqipëria. Kam biseduar me përfaqësuesin e federatës shqiptare për Zvicrën, Sokol Dauti, i cili më ka thënë se Shqipëria është e interesuar për mua. Me kënaqësi e pranova ftesën dhe shpresoj që sa më shpejt të grumbullohem nga trajneri Xhani De Biazi. Jam i lumtur që do të jem pjesë e Shqipërisë si shqiptari i vetëm nga Maqedonia. Do ta mbaj fanellën kuqezi me zemër”, ka thënë Aliji dje gjatë një prononcimi për kosovaren “Koha Ditore”.

Mbrojtësi i Bazelit ka lindur në Kumanovë. Në Zvicër jeton që nga mosha katërvjeçare. Ai i është mirënjohës këtij vendi që i mundësoi të zhvillonte karrierë në futboll, por ka theksuar se ka bërë një zgjedhje zemre. Aliji luan kryesisht si mbrojtës i majtë, pozicion në të cilin Shqipëria nuk ka shumë opsione (Agolli dhe Lenjani), por mund të luajë edhe si mesfushor i majtë:

“Ka pasur interesim edhe nga Zvicra dhe Maqedonia, por unë jam shqiptar dhe zemra më tha që duhet të vesh fanellën kuqezi. Ndikoi edhe familja në vendimin tim, ndërsa kam marrë fjalë të mira nga Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi dhe Arlind Ajeti, të cilët e kanë shijuar ndjenjën që të djersitin fanellën kuqezi”, ka theksuar Aliji.

Xhaka, Gashi dhe Ajeti janë bashkëlojtarë të Alijit te Bazeli dhe tashmë prej disa ndeshjesh janë pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Shqipërisë. Deri tani Aliji ka luajtur pesë ndeshje në Superligën e Zvicrës dhe ka realizuar një gol, duke pasur edhe një paraqitje në Ligën e Kampioneve. “Në skuadrën e Bazelit po më ecën mirë. Po stërvitem rregullisht për të qenë i gatshëm për trajnerin e Bazelit”, ka thënë Aliji. Më herët De Biazi kishte shfaqur interesim edhe për shqiptarin tjetër nga Maqedonia, Shkodran Mustafi, por ai vendosi për Gjermaninë. Me Gjermaninë doli edhe kampion i botës. Italiani De Biazi është treguar shumë aktiv për afrimin në kombëtare të lojtarëve shqiptarë që bëjnë karrierë në vende europiane, sidomos të atyre në Zvicër. Përveç lojtarëve të Bazelit, pjesë e Shqipërisë janë edhe lojtarë tjerë të skuadrave zvicerane si Amir Abrashi, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Fidan Aliti etj. Deri tani, te Kombëtarja shqiptare kanë kontribuar më shumë se 40 lojtarë nga Kosova, duke përfshirë këtu edhe skuadrat e moshave.