TIRANE—Partia Demokratike vazhdon të akuzojë opozitën se ka bllokuar ligjet që kërkohen nga Bashkimi Evropian për integrimin e vendit. Në një komunikim me median deputetja Ledina Aliolli tha se prej 102 ditësh ne programin e punës, në kalendarin e parlamentit dhe në rendin e ditës të çdo seance janë 3 ligje.

“3 ligje, qe komisioni evropian i vuri si kusht Shqipërisë, kur rekomandoi statusin, më 10 tetor 2012. 3 ligje që parlamenti duhet të votonte. 3 ligje që kërkojnë 3/5 e votave, ose e thënë ndryshe 3 ligje, qe pa votën e opozitës, nuk miratohen. Tamam kur të gjithë shqiptarët gëzoheshin për statusin, me kushtin e vetëm të 3 ligjeve, Edvin Rama vendosi që këto ligje të mos votoheshin”, u shpreh Aliolli.

Bllokmeni i ri, tha ajo, vendosi që statusi të bllokohej, edhe në amanet të dajës se tij, bllokmenit të vjetër Spiro Koleka. “Bllokmeni i ri , i prishi gëzimin e shqiptareve, e mban peng statusin e vendit kandidat, duke urdhëruar deputet e tij të mos votojnë 3 ligjet, që Brukseli i vuri si kusht. Prej 102 ditësh bllokmeni i ri i ka vendos një pritë të re shqiptareve, tamam në jubileun e 100 vjetorit të pavarësisë. Prej 102 ditësh, 3 ligje presin votën e opozitës, por bllokmenët e rinj tamam si ato të vjetër refuzojnë Brukselin, Shqipërinë dhe shqiptaret”, insistoi Aliolli.

Prej 102 ditësh, vijoi ajo, ky pengmarrës luan me ëndrrën evropiane te gjithë shqiptareve. “Edvin muratori, çdo dite vendos një bllok te ri në murin e bllokimit, duke harruar se shqiptaret pas 151 ditëve do rrezojnë murin e gjurmës së tij te turpit. Me 23 qershor shqiptaret do ndëshkojnë bllokmenët e rinj, ashtu siç ia bene bllokmenëve te vjetër 22 vite me pare. Me 23 qershor shqiptaret i kane rezervuar Edvin muratorit, humbjen më te thelle, ndëshkimin me te madh e turpërimin me te merituar”, nënvizoi Aliolli.