TIRANE, 24 mars 2013 – Deputetja PD-së, Ledina Aliolli në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme akuzoi liderin socialist, Edi Rama, se ofendoi çdo grua dhe infermiere shqiptare në 5 sekonda.
“Dje, Rama korri një rezultat të rrallë, ai ofendoi çdo grua dhe çdo infermiere shqiptare në 5 sekonda, duke thënë se burrat duhet të marrin gratë me vete në spital për t’i mbrojtur ata nga infermieret. Për t’i mbrojtur nga infermieret?! A mendon seriozisht Rama se infermieret janë më të fokusuara në vjedhjen e burrave, se sa në trajtimin e pacientëve?. A mendon vërtet Rama se infermieret e trajtojnë spitalin si një shërbim për takime e njohje dhe jo si një vend pune?”,- pyeti ironikisht Aliolli.
Sipas saj, Edi Rama është i njëjti person, që detyroi deputetët e tij të votojnë kundër dyfishimit të pagës së infermiereve dhe i njëjti që i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit të ndërtimit dhe riparimit të 400 spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
Duke u ndalur tek vëmendja që i ka kushtuar në programin e saj elektoral mazhoranca kësaj kategorie punonjësish Aliolli theksoi se PD është e përqendruar në përmirëimin e cilësisë së shërbimit shëndetësor.
“Ne e dimë se infermieret punojnë shumë çdo ditë për të ofruar kujdes për pacientët e tyre dhe ne jemi të fokusuar të ndihmojmë infermieret për të përmirësuar cilësinë e shërbimit shëndetësor dhe jo t’i përdorim ato si pjesë të një shakaje të keqe elektorale”,- përfundoi deputetja e PD-së, Ledina Aliolli.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





