Pushteti vendor dhe institucionet marrin masa për mbarëvajtjen e festave të fundvitit
Fond qesharak për festat e fundvitit, vetëm 300 mijë lekë të reja
Prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, i ka kërkuar të gjitha institucioneve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor që të koordinojnë masat për menaxhimin me sukses të periudhës së festave të fundvitit. Në një takim të zhvilluar në prefekturën e Durrësit, prefekti Alizoti ka kërkuar prej drejtuesve të policisë së shtetit që të garantojnë rendin publik gjatë festave, të menaxhojnë fluksin e ardhjes së emigrantëve në portin e Durrësit si dhe të menaxhojnë trafikun që është tepër i ngarkuar në këtë periudhë. Alizoti ka kërkuar nga Bashkia e Durrësit që të normalizojë situatën e punimeve në disa prej rrugëve qëndrore të qytetit bregdetar, gjë që po provokon probleme në trafik. Po kështu, prefekti Alizoti ka kërkuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili çuditërisht paraqitej në këtë takim me financieren e këtij institucioni, që të mbajë nën monitorim cilësinë e ushqimeve që do të konsumohen për festat e fundvitit në restorantet kryesore ku do të organizohen festimet.
Alizoti ka kërkuar nga drejtoria e Tatim-Taksave, bashkia dhe institucione të tjera që të marrin masa ndaj fenomenit abuziv të rritjes së çmimeve në tregun fshatar, si dhe një gadishmëri të lartë nga ana e strukturës së zjarrfikëseve, përsa i përket rrezikut të rënies së zjarreve në natën e ndërrimit të viteve. Prefekti Alizoti i ka kërkuar kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako që organizojë një koncert festiv në qendër të qytetit natën e Vitit të Ri, por kryebashkiaku nuk e ka garantuar një gjë të tillë.Sipas tij nuk mund të flitet për momentin për organizimin e një koncerti festiv, në kushtet kur nuk është miratuar këshilli i kulturës që bën dhe programimin e veprimtarive kulturore dhe artistike. Bllokimi i këtij këshilli sipas Dakos e bën të pamundur për momentin organizimin e çfarëdolloj spektakli artistik. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Dako duke ju përgjigjur shqetësimit të prefektit Alizoti dhe përfaqësuesve të drejtorisë së Qarkullimit Rrugor,ka deklaruar se para festave do të ndërpriten punimet në disa prej rrugëve ku aktualisht po investohet. Më konkretisht do të ndërpriten punimet në rrugën tregtare, në atë që të çon në qendër të qytetit, si dhe në hyrje të qytetit bregdetar pranë stacionit të trenit. Sipas Dakos fondi që po përdoret për dekorin e qytetit të Durrësit nuk i kalon 300 mijë lekë të reja, një shifër kjo qesharake për një qytet si Durrësi.
Kryetari i Bashkisë ka deklaruar se një patrullë e policisë bashkiake do të jetë e gatshme pranë zonës së tregut fshatar, në një kohë që do të bashkëpunohet me të gjitha strukturat e tjera për mbajtjen në kontroll të situatës natën e ndërrimit të viteve. Në takim kanë raportuar edhe drejtues të institucioneve të cilat kanë detyrim ligjor në lidhje me menaxhimin e festave të fundvitit. Në raportin e tij Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Aleks Hajdari, ka deklaruar se është bërë gati plani i masave për të tre komisariatet. Sipas këtij plani masash do të ketë patrulla të përforcuara, në bashkëpunim dhe me efektivat e qarkullimit rrugor dhe kufirit, në një kohë që do të ketë dhe kontrolle intensive në ambjente të ndryshme për të parandaluar çfarëdolloj veprimtarie kriminale. Një vëmendje e veçantë, sipas Hajdarit do t`i kushtohet dhe fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe veçanërisht përdorimit të fishekzjarreve për të parandaluar rënie zjarri apo dëmtime në njerëz. Sipas Hajdarit, do të ketë kontrolle në pikat ambulante, në një kohë që nuk do të lejohet tregtimi i fishekzjarrëve pas orës 00.10 të datës 1 janar. Po kështu do të ketë një plan masash në koordinim me Prefekturën dhe institucione të tjera për të ndërhyrë në kohë në raste aksidentesh të mundshme. Një vëmendje e veçantë do t`i kushtohet institucioneve të tilla si bankat apo agjensi të këmbimit valutor, ku mund të ketë tendenca për aktivitet kriminal.
Po kështu në shërbim të qytetarëve do të jenë dy numra telefoni, në një kohë që do të dyfishohen shërbimet civile. Në prezantimin e masave për menaxhimin e fluksit të emigrantëve, shefi i Policisë Kufitare, Arben Hajdarmataj, ka deklaruar se do të jenë gati 40 sportele, në një kohë që do të ketë shtim të forcave policore. Një problem më vete përbën fakti se mos funksionimi i plotë i terminalit të pasagjerëve, shkakton probleme në menaxhimin e fluksit të njerëzve dhe automjeteve. Po kështu përfaqësues të qarkullimit rrugor kanë garantuar se do të përforcohen shërbimet për mbajtjen në kontroll të trafikut dhe do të intensifikohen masat ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Edhe dogana e Durrësit do të jetë në gadishmëri për të përballuar fluksin e mallrave.Sipas drejtorit të këtij institucioni, Jaçe Hysolli, dogana ka kohë që ka marrë masat pasi ka një shtim të fluksit të mallrave që përdoren kryesisht gjatë festave të fundvitit. Nga ana e drejtorit të tatim –taksave në Durrës, Ndriçim Fortuzi, policia tatimore do të ushtrojë kontrolle përsa i përket çmimeve që do të aplikohen në treg, në një kohë që do të ketë kontrolle në të gjitha subjektet përsa i përket qarkullimit të mallrave pa faturë, përdorimit të kasave fiskale apo tregtimit të fishekzjarreve.
Masa të forta janë garantuar edhe nga drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në dy prej stacioneve kryesore të pompimit të ujit në Fushë-Kuqe dhe Fushë-Krujë. Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrje, Doklead Ademi do të jenë në funksion katër pompa dhe është kontaktuar me policinë private për ruajtjen e depove të ujit. Për të shmangur përmbytjet që u vunë re në zonën e plazhit gjatë festave të vitit të kaluar, drejtori i Ujësjellësit ka kërkuar që ÇEZ-i të mos ndërpresë furnizimin me energji në stacionet e pompimit në përgjithësi dhe në atë të plazhit në veçanti. Plot 120 punonjës do të jenë në dispozicion për menaxhimin e situatës. Garanci për një shërbim cilësor dhe të shpejtë për problematikën e netëve të ndërrimit të viteve përsa i përket sistemit spitalor ka dhënë dhe drejtori i Spitalit të Durrësit,Taulant Baku, sipas të cilit të gjitha shërbimet do të jenë gati për të përballuar rastet e aksidenteve apo problemet e ndryshme shëndetësore që mund të kenë qytetarët gjatë festave të fundvitit. Masa janë paralajmëruar dhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili ka paralajmëruar kontrolle të forta përsa i përket cilësisë së ushqimit. Kontrollet do të përqëndrohen në veçanti në mallrat që hyjnë përmes portit të Durrësit, cilësisë së ushqimeve në restorante, si dhe kontrollin e subjekteve që tregtojnë produkte ushqmore.
Prefekti Alizoti i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që tё organizojë një koncert festiv në qendër të qytetit natën e Vitit të Ri, por kryebashkiaku nuk e ka garantuar një gjë të tillë. Sipas Dakos nuk mund të flitet për momentin për organizimin e një koncerti festiv, në kushtet kur nuk është miratuar këshilli i kulturës që bën programimin e veprimtarive kulturore dhe artistike.
Drejtori i policisë së qarkut të Durrësit Aleks Hajdari ka deklaruar se është bërë gati plani i masave për të tre komisariatet. Sipas këtij plani masash do të ketë patrulla të përforcuara, në bashkëpunim dhe me efektivat e qarkullimit rrugor dhe kufirit, në një kohë që do të ketë kontrolle intensive në ambjente të ndryshme për të parandaluar çdo lloj veprimtarie kriminale. Një vëmendje e veçantë sipas Hajdarit do t‘i kushtohet dhe fenomenit të armëmbajtjes pa leje dhe veçanërisht përdorimit të fishekzjarreve për të parandaluar rënie zjarri apo dëmtime në njerëz.
Për të shmangur përmbytjet që u vunë re në zonën e plazhit gjatë festave të vitit të kaluar drejtori i Ujësjellësit, Doklead Ademi, ka kërkuar që ÇEZ-i të mos ndërpresë furnizimin me energji në stacionet e pompimit në përgjithësi dhe në atë të plazhit në veçanti. Plot 120 punonjës do të jenë në dispozicion për menaxhimin e situatës.
Kryebashkiaku Dako, duke ju përgjigjur shqetësimit të prefektit Alizoti dhe përfaqësuesve të drejtorisë së qarkullimit rrugor, ka deklaruar se para festave do të ndërpriten punimet në disa prej rrugëve ku aktualisht po investohet. Më konkretisht do të ndërpriten punimet në rrugën tregtare, në atë që të çon në qendër të qytetit, si dhe në hyrje të qytetit bregdetar, pranë stacionit të trenit. Sipas Dakos, fondi që po përdoret për dekorin e qytetit nuk i kalon 300 mijë lekë të reja, një shifër kjo qesharake për një qytet si Durrësi.