Në një intervistë për revistën italiane “Gente”, moderatorja Alketa Vejsiu, e cila do të prezantojë në festivalin e Sanremos, ka rrëfyer pasazhe nga fëmijëria e saj dhe se si e ka nisur karrierën.
Vejsiu i është prezantuar italianëve si “Chiara Ferragni e Tiranës” (Blogerja e famshme italiane).
“Amadeusi deshi ta kishte në krah, por pak e njohin. Nuk është vetëm prezantuese në radio e televizion, por edhe sipërmarrëse mode dhe influencuese.”- shkruhet në përshkrimin e Alketës në revistë.
“Sanremon e kam parë që fëmijë. Kur mora konfirmimin e pranisë sime, isha në një fshat pranë kufirit me Kosovën dhe lëshova një britmë të fortë gëzimi pastaj nisa të qaj. Koka më vinte vërdallë nga lumturia. Mora menjëherë në telefon nënën, babain dhe tim shoq”.
Ndërkohë, ajo ka rrëfyer për median italiane se është e martuar që prej vitit 2006 dhe se çifti ka dy fëmijë, të lindur që të dy në Firence.
“Rrogën e parë e kam çuar në shtëpi në moshën 14-vjeçare, kur punoja për një radio private në Shqipëri. Kisha një biçikletë me të cilën endesha rrugëve të Tiranës duke ndjekur ëndrrën time. Ndërkohë studioja shumë. Isha ambicioze. Ishim të varfër dhe doja të bëja diçka të mirë për time më, për babain dhe vëllanë. Studimi dhe puna intensive kanë qenë garancia ime e suksesit”, shprehet moderatorja.





