Alketa Vejsiu është rregullisht prej vitesh në ekran, në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve, duke na treguar në çdo kohë profesionalizëm shoqëruar me shumë pozitivitet.

Vitet e fundit përmes rrjeteve sociale, në foto e video të shumta Alketën e shohim edhe në pozicionin e një drejtueseje biznesi të suksesshme. Por pasi futet në shtëpi, heq takat dhe lëshon çantën, për Alketën dimë shumë pak. Besojmë e keni lexuar shpesh cilësimin për të, si një ndër personazhet më të rezevuar shqiptarë, sa i takon jetës jashtë punës. Ama jo gjithmonë! Alketa Vejsiu ka pranuar të ulet përballë Floriana Garos për t’iu përgjigjur shumë pyetjeve, edhe aty private. Për ata që nuk e kanë ndjekur rrëfimin e saj në “Jo vetëm modë”, ne kemi shkëputur ca copëza ku prezantuesja e “Klan” tregon për njerëzit e zemrës.

Sipas Alketës, dashuria për familjen qëndron mbi të gjitha të tjerat, sado i apasionuar të jesh. Ajo shfaq një nënë të përkushtuar e në disa aspekte, si për shembull në raportin e fëmijëve me teknologjinë, edhe pak të rreptë.

“Televizioni është dashuria ime e madhe profesionale, por nuk ka asnjë të krahasuar me dashurinë e familjes, me atë që unë jetoj çdo ditë. Familja është ekuilibri më i madh në jetën e çdo njeriu. Ne gjithmonë e më tepër i japim hapësirë njëri-tjetrit për të qenë të katërt bashkë. Për mua nuk ka asnjë rëndësi suksesi në televizion apo në biznes, në qoftë se fëmijët e mi nuk janë në rregull. Në përgjithësi familja ime më sheh nga ekrani. I marrin shpesh në analizë daljet e mia publike dhe më thonë gjërat e mira e gjërat që mund të bëhen më mirë. Vajzën e kam konsulente shumë të mirë sidomos. Do doja shumë që fëmijët e mi të bëhen dy njerëz të mirë, të sjellshëm dhe me këmbë në tokë. Pjesa humane është ajo që më shqetëson më tepër, aty ku fokusohet edukimi im. Pika numër dy është tekologjia. Mundohem t’i heq sa më shumë kohë të shpërdoruar me teknologjinë”.

Dashurinë e jetës e ka njohur në moshë shumë të re. Me vitet kjo dashuri është rritur dhe sipas saj është bërë edhe më e bukur, falë fëmijëve.

“Fati më njohu me partnerin tim në moshë shumë të re. Isha vetëm 19 vjeçe e gjysmë kur e takova, dhe ishte dashuria e jetës sime. Marrëdhënia jonë është bërë më e bukur, më e fortë dhe më interesante tani që fëmijët janë një motiv shumë i madh për të bërë projekte të bukura, për të jetuar momente të lumtura. Orët e ditës dalin për t’i bërë të gjitha, edhe për të bërë sportin, edhe për të gatuar, edhe për të shtruar darka me miqtë edhe për të udhëtuar… Të gjitha mund t’i bësh. Është vetëm çështje sistemimi dhe prioritetesh.”

Me pozitivitetin që e karakterizon, me shumë përkushtim e me dashurinë përpara, Alketa ka bërë të mundur që familjen e saj ta mbajë gjithnjë të bashkuar, ndonëse prindërit i ka të ndarë.

“Rastësisë ia kam rrëmbyer shumë oportunitete që më ka dhënë. Kam qenë me fat por edhe kam ditur t’i zgjedh gjërat. Sot nëna dhe babai im kanë një raport civil absolutisht të shkëlqyer. Takohen për fëmijët e mi. Sa herë ka festa familjare ata janë bashkë. Është një bashkëjetesë shumë e shëndetshme dhe normale, sikur ata të ishin bashkë. Edhe unë gjatë gjithë jetës jam përpjekur ta mbaj të bashkuar familjen edhe pse ata fizikisht kanë qenë larg njëri-tjetrit.” / revistawho.com