Enver Ulqini
Alkoolizmi është një helmim i ngadalshëm, pikënisja e të cilit është e padukshme, por turbullon thellësisht dhe pa pushim të gjitha funksionet e organeve tona. Helmimi nga alkooli hyn në sasi të vogla, por të përsëritura, e shfaq aktivitetin e tij duke shkatërruar shëndetin, duke asgjësuar inteligjencën dhe duke plagosur moralin. Alkooli e pezmaton stomakun. Shter lëngjet e tij, trash paretet, paralizon lëvizjet, ndalon sekrecionet dhe shkatërron gjithë aparatin e tretjes. Alkooli vepron mbi mëlçinë e zezë duke e kongjestionuar dhe pezmatuar, prandaj shpeshherë kemi komplikacione të rënda, si infeksioni i mëlçisë së zezë, zmadhimi i saj që ndikon në zhvillimin e kancerit.
Ky dëmton zemrën, trurin deri në hemorragji cerebrale, çrregullon metabolizmin e lëndëve ushqyese dhe përvetësimin e vitaminave, kryesisht A, B, E, shkakton çekuilibër hormonal, vepron në sistemin e frymëmarrjes. Alkoolizmi nuk është tjetër, vetëm se një pleqëri e hershme! Si burim janë pijet me përmbajtje të ulët alkooli, si birra, me afërsisht 4% alkool, verërat me përmbajtje mesatare alkooli, 9-13 %, si dhe pijet me përmbajtje të lartë alkooli, si rakia, konjaku, fërneti, uiski, tekila, vodka, që kanë mbi 38% alkool.
Këto të fundit janë produkte të distilimit të frutave të tharmuara, të drithërave dhe melasës së sheqerit. Alkooli është lëndë me peshë molekulare të vogël dhe me tretshmëri shumë të madhe në ujë, prandaj ai përthithet lehtësisht nga stomaku dhe zorra e hollë dhe prej këtej kalon në gjak. Alkooli përthithet deri në kohën kur arrihet një ekuilibër mes përqendrimit të tij në gjak dhe nivelit në indet dhe në organet e ndryshme të organizmit.
Zakonisht, 20% e alkoolit përthithet në stomak, ndërsa 80% e tij në zorrën e hollë. Vetëm 10% e alkoolit të konsumuar nxirret jashtë nga mushkëritë dhe nga veshkat. Përthithja varet nga gjendja strukturale e mureve të stomakut dhe të zorrëve, nga sasia e përdorur dhe jo nga lloji i pijeve, nga bilanci i ujit në organizëm, nga pesha dhe mosha e konsumatorit, nga sasia dhe karakteri i ushqimit që ndodhet në stomak.
Ushqimi yndyror pengon dehjen, përthithjen, duke krijuar emulsione që përthithen me vështirësi. Kur stomaku është bosh, alkooli arrin më shpejt në gjak dhe në tru, sesa kur stomaku është plot, ose kur shoqërohet me ushqim. Përthithja varet edhe nga natyra e ushqimit, ato me proteina dhe yndyra, si mishi, qumështi etj. e pengojnë përthithjen. Pijet alkoolike me shkumë, si birra dhe verërat shkumuese, përthithen në një kohë të shkurtër, kurse ato të ëmblat përthithen ngadalë. Përqendrimi i alkoolit në gjak ose alkoolemia lidhet me fenomenin e shpërndarjes dhe të shkatërrimit. Sasia e alkoolit që digjet nga organizmi është rreth 01 gr/kg e peshës së trupit në një orë. Kaloritë e fituara shërbejnë vetëm për shkëmbimin e metabolizmit bazal. Për çdo 1 gram alkool, fitohen 7 kalori nga kjo djegie.
SI KALON ALKOOLI NË GJAK, SIPAS SASISË SË KONSUMUAR
– Kur përqindja e alkoolit në gjak është më pak se 0.5%, pra kur ke pirë esëll 1/3 e litrit verë = 2 gota verë ose 80 gr raki 180, efekti i alkoolit është i padëmshëm.
– Kur përqindja e alkoolit në gjak shkon 0.5 – 1 %, pra kur ke pirë 1/3 -2/3 e litrit verë, ose 165 gr raki 180, nuk ruhen aftësitë vepruese të sistemit nervor qendror, lëvizjet nuk janë të sigurta, është i gëzuar dhe i kënaqur nga vetvetja.
– Kur përqindja e alkoolit në gjak shkon 1 – 1.5 %, pra kur personi ka pirë esëll 2/3 – 1 litër verë, ose 200-250 gr raki 180, ai është shumë në qejf dhe në gjendje lehtësisht i dehur. Humbet kontrollin, skuqet dhe fjala i del e paqartë dhe e turbullt; disa flenë.
– Kur përqendrimi i alkoolit në gjak është 1.5-2 %, pra kur personi ka pirë një litër verë ose 250 gr raki 180, është në pragun e dehjes karakteristike, humbet kontrollin, çrregullohet ekuilibri, ecën me vështirësi, këndojnë dhe flasin me zë të lartë, mendimet i shfaqin me vështirësi e ngadalë, ngatërrojnë fjalët, nganjëherë bëhen agresivë.
– Kur përqendrimi i alkoolit në gjak arrin 2-3 %, pra kur ka pirë afërsisht 2 litra verë, ose 350 deri 500 gr raki 180, personi humbet vëmendjen, çrregullon së tepërmi lëvizjet dhe ekuilibrin, ka turbullira idesh dhe fjalë të palidhura. Turbullirat e tretjes janë të shpeshta.
– Kur përqendrimi i alkoolit në gjak është më i lartë se 3%, pra kur personi ka pirë mbi 2 litra verë me 10% alkool ose 750 gr raki 180, ai është pothuajse pa ndjeja dhe një pirje sado e vogël kalon në “dehje për vdekje”, siç e thotë populli. Helmimi ka përfshirë sistemin nervor.
– Kur përqendrimi i alkoolit në gjak arrin 4-5 % , pra kur ka pirë 3-5 litra verë, ose 750 deri në 1000 gr raki 180, mund të sjellë vdekje. Alkooli paralizon qendrat kardiake dhe frymëmarrjen.
– Kur përqendrimi i alkoolit në gjak arrin 8-10 %, vdekja është e sigurt. Në rastet e gëzimeve familjare, shoqërore, kolektive, kur këto janë të vetme, nuk sjellin pasoja serioze ose dëme në organizëm. Pas një deri dy ditësh, personi normalizohet.
Sasia e pijeve që konsumohet varet nga:
– Veçoritë individuale
– Predispozicioni gjenetik, sepse disa persona prodhojnë sasi më të mëdha enzimash të afta për shpërbërjen e alkoolit, si: italianët, rusët e izraelitët në krahasim me indianët e suedezët
– Disa individë i qëndrojnë më shumë alkoolit
– Pirja me stomakun plot ul efektin e alkoolit
– Organizmat e shëndoshtë e përballojnë më shumë alkoolin
Përdoruesit e alkoolit dëmtojnë sistemin nervor qendror dhe kalojnë në sëmundjen e depresionit bipolar, që karakterizohet nga një gjendje euforike, nga mania në depresion, nga lëkundje të jashtëzakonshme të humorit. Njerëzit, sa më shumë të pinë, aq më të ulët e kanë vëllimin e trurit të tyre. Alkooli ndikon negativisht në memorien dhe orientimin. Alkooli sot konsiderohet një nga tri substancat më të rrezikshme. Studimet e fundit kanë vërtetuar se alkooli dëmton trurin në mënyrë të pariparueshme.
Kjo dukuri po përhapet te të rinjtë që kanë prirje të konsumojnë alkool në një moshë gjithnjë e më të re. Moshat e reja dhe të treta durojnë më pak alkoolin dhe dëmtohen më shumë në krahasim me moshat e mesme. Pirja e alkoolit është shkaku i shumë aksidenteve rrugore dhe i vdekjeve. Gjithashtu, nga studimet e reja rezulton se përdorimi i alkoolit nga gratë ndikon negativisht në drejtim të shfaqjes së kancerit në gji, mëlçi, zorrë të trashe, grykë dhe organet seksuale. Kjo sepse alkooli në trup shndërrohet në kimikate që mund të shkaktojnë kancerin duke dëmtuar ADN-në. Kur konsumohet alkool dhe pihet duhan njëkohë- sisht, shtohet më shume shfaqja e kancerit.
Në lidhje me masat për shërimin e të sëmurëve nga alkooli ekzistojnë qendra rehabilitimi, barna të ndryshme të cilët bashkëveprojnë me alkoolin. Këto janë të shumtë dhe në rritje dhe se ky bashkëveprim zhvillohet në mënyra të ndryshme, duke i ngacmuar e lehtësuar shtimin e lëngut të stomakut dhe si rezultat përthithjen e disa barnave, bën që të arrihet shumë më shpejt veprimi farmakologjik i tyre. Këto ndërpresin fazën e lindjes se açetaldehidës, që është lëndë helmuese dhe që krijon ndjenjën e marrjes së mendve, të vjellit, djersitjen, rrahjet e zemrës, të fikëtit etj.
Këto bëjnë që të ndalohet përdorimi i pijeve alkoolike, duke dhënë gjendje të papëlqyeshme. Megjithatë, veprimi i tyre mund të jetë i dyanshëm, duke dhënë dobësim ose fuqizim të medikamenteve. Alkooli ul shumë veprimin e medikamenteve antikuagolant, kundër mpiksjes së gjakut, të medikamenteve anestezike të përgjithshëm kundër atyre qetësues etj. Disa medikamente japin shtim të veprimit të tyre farmakologjik; kryesisht ato që veprojnë në zgjerimin e enëve të gjakut dhe ato që përdoren për uljen e tensionit arterial.
Disa medikamente që përdoren kundër diabetit mund të shkaktojnë ulje të madhe të nivelit të sheqerit në gjak. Të tjera medikamente kundër reaksioneve alergjike mund të shkaktojnë gjumë të thellë dhe në ulje të tensionit arterial. Disa kanë veprim më të fuqishëm diuretik, që japin çrregullime të kripërave në gjakun e të sëmurit. Njohja e këtyre fenomeneve ka rëndësi të madhe, sepse pakëson ose shton veprimin e dëmshëm të medikamenteve si rezultat i bashkëveprimit me alkoolin.
*Autori është Doktor i Shkencave në Enologji
Panorama, 19 korrik 2015