15 dhjetor 2014 –  Juventus-Borussia Dortmund, një sfidë italo-gjermane me një të shkuar të hidhur për skuadrën torineze që kërkon të harrojë finalen e vitit 1997. Trajneri Massimiliano Allegri e ka komentuar shortin e Champions League nëpërmjet një postimi në Twitter ku shkruan: "Shorti mund të ishte më i lehtë por edhe më mizor. Duhet të marrim hak për humbjen në finalen e vitit 1997". Gjithsesi, Pavel Nedved flet me tone më diplomatike, duke theksuar se Borussia nuk po bën mirë në kampionat por në Evropë ka arritur rezultate pozitive. Ish mesfushori çek tashmë në rolin e drejtuesit te Juventusi shton se skuadra e Allegrit do të luajë si e barabartë në këtë sfidë edhe pse disavantazhi i vetëm është fakti që ndeshja e parë do të luhet në "Juventus Stadium".  Një sfidë disi më e parashikueshme është ajo mes Schalkes dhe Realit të Madridit dhe kënaqësinë për këtë short nuk e fsheh drejtori i marrëdhënieve institucionale në klubin "Merengues", Emilio Butragueno.

Sipas tij, ky është një short pozitiv sepse Reali ka eksperiencë në përballjet me Schalken, skuadër që e kaloi me sukses sezonin e shkuar. Gjithsesi, drejtuesi i Realit kërkon përqëndrim, duke shtuar se përballja e dyfishtë me skuadrën nga Genselkirchen do të jetë më e vështirë se ajo e një sezoni më parë. Një koment për shortin nuk ka munguar as nga Luis Enrique pasi Barcelona e tij peshkoi Manchester City-n. "Do të jetë shumë e vështirë, ndoshta më i vështiri që mund të na binte. Ata janë kandidatë për suksesin final. Deri në muajin shkurt mund të ndryshojnë shumë gjëra por kam bindjen se do të jenë dy sfida të ekujlibruara. Ata kanë lojtarë të klasit botëror dhe një trajner të një niveli të lartë që ka treguar me vepra se çfarë di të bëjë". Arsenali u shortua me Monacon, por sekretari i klubit londinez, David Miles kërkon që skuadra ta vlerësojë maksimalisht rivalin, duke theksuar se asnjë kundërshtar nuk mund të konsiderohet i lehtë në këtë fazë. Surprizuese është deklarata e sekretarit të Chelseat, David Barnard.

"Jose Mourinho më tha përpara shortit se do të të dëshironte të ndeshej me Paris Saint Germain. U përballëm me ta edhe vitin e shkuar por tani është një tjetër histori. Besoj se Jose ka të drejtë sepse nëse ruajmë përqëndrimin, mund të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar".