Rebele nga natyra, kërkuese, ngulmuese. Me plot gojën të thotë se i ka ngjarë xhaxhait të saj, Faikut. Alma mbërriti me një frymë, në takimin e lënë për në orën 11.00. Po punon fort këto ditë, megjithëse nuk ia ka arritur të publikojë për 100 vjetorin e Pavarësisë, vëllimet përfundimtare të revistës “Albania”, të mbledhura me një mijë sakrifica, revistë e botuar prej 1897 deri në 1909, si një organ “busull” për Rilindjen Shqiptare. Alma Konica është një prej dy trashëgimtarëve të familjes Konica. Biseda me të është e gjallë, ajo shpesh të lë me gojë hapur. Mbi tavolinë kam vendosur diktofonin për të mos humbur asnjë copë bisede me këtë grua, që i ka provuar të gjitha, edhe persekutimin politik edhe lirinë, edhe dashurinë.

Pak ditë më parë ka qenë pjesëmarrëse në ceremoninë e nderimit të Faik Konicës nga kryeparlamentarja Topalli. Por nuk ngurron të thotë se është “turp” që varri i Faik Konicës, trupi i të cilit prehet pranë vëllezërve Frashëri prej vitit 1995, vit i cili përkon me kthimin e eshtrave në atdhe, varri është hapur katër herë dhe sot është i prishur. Është turp që patriotit dhe shkrimtarit të madh i kanë vjedhur katër herë varrin, 2 herë i kanë nxjerrë eshtrat, ndërsa nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e përsëritjes së këtij fenomeni. “As në Shqipëri nuk mund të prehet i qetë,- thotë Alma. Mbesa e tij drejton gishtin në drejtim të Ministrisë së Kulturës, si institucioni i cili nuk është kujdesur as për botimin e veprave të Konicës, dhe as për ruajtjen e varrit të tij. Alma rrëfen në një intervistë për “Dyrrah” peripecitë e hasura për gjetjen e kopjeve dhe më pas botimin e vëllimeve të revistës “Albania”, vështirësitë financiare si dhe interesimin e pakët që është treguar në Shqipëri për këto vëllime. Në të njëjtën kohë pasardhësja e patriotit të madh shqiptar tregon për betejën ligjore të nisur me shtetin grek për kthimin e shtëpisë dhe pronave të familjes.  

Alma, na tregoni pak për prejardhjen tuaj…

Unë jam Alma Konica, vajza e Skifterit. Gjyshi im, Mehmeti, është një prej vëllezërve Konica; Hysenit, Faikut dhe Mustafait. Ata kishin edhe dy motra Rukijen dhe Sanien. Nga katër vëllezërit Konica, vetëm Mehmeti pati fëmijë, sepse të tjerët ju përkushtuan politikës, Faiku dhe Mustafai nuk u martuan, deri sa vdiqën, Hysenit i vdiqën fëmijët dhe vetëm im gjysh Mehmeti la pasardhës dy djem e dy vajza Konica. Por edhe xhaxhai im Skënder Konica pasi kreu 20 vjet burg politik, nga Enver Hoxha vdiq, pa lënë trashëgimtarë. Im atë Skifteri pati dy vajza, mua dhe Evelina.

Toka nga ka prejardhjen fisi juaj ka mbetur jashtë kufinjve shtetërorë. A keni shkuar ta shihni?

Unë shkova në Konicë në vitet 1992. Isha kurioze të shikoja ku kanë banuar të parët e mi. Pashë që në Konicë ekzistonte shtëpia jonë ende e paprishur. Ishte një shtëpi tre katëshe, në dy katet e sipërm kishte dhoma të mëdhaja, ndërsa poshtë ishin qilaret. Nuk ishte prishur, por kishte zënë mjaft myshk. Për dekada me radhë kishte funksionuar si shkollë bujqësore.

E keni marrë në pronësi shtëpinë?

Për vite me radhë kam qënë në gjyq dhe në përfundim të tij u bë e mundur që të largohej nga aty shkolla bujqësore. Për ta hedhur në hipotekë është shumë e vështirë. Do më duhen edhe rreth 10 vjet të tjera ta bëj këtë rrugë për të ndjekur proceset gjyqësore në Greqi. Akoma në shtëpi qëndron mbishkrimi Hysen Shishko. Hyseni ishte vëllai i Faikut. Të gjithë vëllezërit ia lanë pronat vëllait të tyre, Mehmetit. Ata u morën me politikë. Unë kur kam shkuar pyeta me shumë frikë në Konicë. Të parën pyeta një grua të moshuar, se a kishte njeri gjallë me mbiemrin Konica. Ajo më tha se familja e saj kishte punuar në tokat e Shahin Beut, babait të vëllezërve Konica. Ata merrnim 75% të prodhimit, i kalonin familjes Konica 25%. Me ato të ardhura kishin ndërtuar dyqanet që ishin aty. Ajo më tregoi shtëpinë, vreshtat. Gjitonë, fqinj me familjen tonë ishte shtëpia e Ali Pashë Tepelenës me të cilin kemi patur lidhje familjare. Kemi patur martesa midis fiseve si bejlerë, koniciotë dhe delvinjotë. Që të kalosh në fazën tjetër duhet që unë së bashku me time motër të jem e regjistruar në hipotekën greke. Sepse nga kjo familje vetëm unë dhe Evelina Konica kemi mbetur trashëgimtare. Nuk kemi mundur për të vetmen arsye se dy shtetet janë në gjendje lufte.

Zonja Alma më thatë se shteti po tregohet indiferent me ata që kanë bërë historinë, e kryesisht me rilindasit. Pse?

E them këtë sepse e shoh me sytë e mi ç’po ndodh me varrin e Faikut. Eshtrat e Faikut kanë ardhur në ‘95 në Shqipëri dhe ai prehet pranë vëllezërve Frashëri. Katër herë është hapur varri, dy herë është hapur arkivoli dhe kur kanë parë që aty ka vetëm kocka kanë ikur dhe e kanë lënë ashtu. Kam shkuar para disa ditësh ta shikoja dhe me të vërtetë varri është në gjendje të mjeruar jo ashtu si i takon Faik Konicës, por as edhe një njeriu të panjohur e pa identitet.

Të gjithë kemi punuar nga pak për këtë vend, por Faiku ka lënë mendjen, ka lënë edhe xhepat për këtë Shqipëri që është sot, mendërisht e financiarisht. Ta shikoni se si është ai varr atje të vjen keq. E kam vendosur që përpara se të vijë data 28 nëntor t’i them ministrit të Kulturës Aldo Bumci “shikoje pak varrin e Faik Konicës se si është katandisur. Mua nuk më pëlqen të mendoj që nuk i interesojnë varret, sepse për këtë Shqipëri që feston 100 vjetorin e Pavarësisë janë masakruar njerëz. Janë helmatisur.

Fatkeqësia ishte se kur shkova nuk pata asnjë mjet për t’i filmuar apo fotografuar. Kur ministër i Jashtëm ka qënë Besnik Mustafaj i kam kërkuar një ekip me gazetarë, kameramanë dhe fotografë për të shkuar në Konicë, për të rikthyer këtë shtëpi të rilindasve kombëtarë në objekt të vizitueshëm për historinë shqiptare. Unë aso kohe isha shumë optimiste që atë shtëpi ta ktheja në muze. Të gjithë vizitorët të paguanin një euro dhe me këto para ta rikonstruktoja e ta ktheja në identitet ashtu siç ka qënë shtëpia një shekull e gjysëm më parë. Vetëm një euro, për vizitor me qëllim që kjo shtëpi dhe ky monument kulture që nuk merret përsipër nga shteti, por nga familjarët të bëhej e vizitueshme. Duhet marrëveshje midis dy shteteve, që të bëhet kjo punë.

Sa e vështirë ka qënë  me autoritet greke, të marrësh shtëpinë e ta kthesh në identitet?

Ata nuk e pranojnë as si ide të hedhur nga ne pasardhësit. Pavarësisht se nuk pranohet, në fuqi është ligji i Luftës me shtetin fqinj. Qeveritarët shprehen se ligji i luftës është hequr, por jo me dokumentacion. Me dokumenta midis dy shteteve ekziston ligji i luftës. Unë nuk e bëj dot këtë ndërhyrje. Kjo kërkon ndërhyrjen e organeve të shtetit shqiptar që të bëjnë marrëveshje me shtetin grek, që së paku të lejojnë restaurimin e kësaj shtëpie. Janë edhe pronat e tjera, vreshtat, ullishtet, por nuk më interesojnë pronat sa shtëpia.

Ju jeni duke ribotuar revistën “Albania”, e cila në fillim të shekullit 19 ishte zëri më i fuqishëm i shqiptarëve në botë, e botuar për 12 vjet, nga Faik Konica. Sa e vështirë ka qënë mbledhja e materialeve?

Në 1896 u krijua shoqata Vatra, dhe në 1897 nisi numri i parë i “Albania”. Që nga ai vit e kam filluar mbledhjen e materialeve. Kam hasur një vështirësi të jashtëzakonshme. Vetë kam punuar për 20 vjet në shtypshkronjë dhe po ta dija që në fillim vështirësitë e kësaj pune nuk do ta kisha nisur. Ana teknike është e thjeshtë.

Marrja e materialeve nga Biblioteka Kombëtare ka qenë e pamundur. Madje mund të them që i kam marrë edhe pak në mënyrë të fshehtë.Nuk kisha mundësi për t’i mbledhur, por shpresoj që me vëllimet e plota do të paraqitemi në panairet ndërkombëtare të Lajpsigut dhe të Frankfurtit në 2013, në muajin prill. Që tani po mendoj për këto dy panaire, megjithëse panairi i Frankfurtit është i shtrenjtë. Në Lajpsig për njerëz të mëdhenj si Konica, stendat për ekspozim jepen falas.

Keni arritur t’i mblidhni të gjitha numrat e revistës?

 Mua s’më ka pranuar Aurel Plasari, drejtori i Bibliotekës Kombëtare kur i kam kërkuar takim për të më vënë në dispozicion revistën “Albania”. Nuk ka denjuar as të dalë në takim. Sekretarja thoshte që nuk është, ndërsa unë e shikoja që ai ishte brenda. Pjesën më madhe e kam marrë në kuvendin françeskan.

Kuvendi më ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Por një ndihmë të madhe kam gjetur edhe në Universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”,  ku në bibliotekën “Marin Barleti” ishin sistemuar jashtëzakonisht mirë. I kishin mbajtur pastër shkrimet, që të mos harrojmë i përkasin vitit 1897. Në fakt nuk e kam transkriptuar librin për të mos i humbur vlera. Në mes të shkronjave ka shkarravina. Na është dashur që t’i rikthehemi materialeve nga katër apo pesë herë për t’i gjetur kuptimin, për të parë çfarë gërme është për kuptimin gramatikor të fjalisë.

Unë doja doemos ta kishim për 100 vjetor, për në Panairin e madh të Librit, por mbeti për dy numra. Në panairin e Kosovës mu kërkua që ta merrte një shtëpi botuese për botim, por doja të botohej në Shqipëri. Jam e kënaqur që deri tani kemi botuar tre vëllime dhe janë në process dy të tjerë. Redaktimi shkencor është në bashkëpunim me Halim Malokun, i cili më tha se po mos ta bëjmë mirë këtë libër do të na ngrihet Faiku nga varri e do të na thotë “ç’më keni bërë”?

Botimi është bërë në mënyrë të mrekullueshme. Kur përfundova volumin e parë aq punë e lodhshme mu duk sa thashë se nuk do të vijoja më. Por e bëra edhe të dytin. U betova që nuk do vijoja më, por e përfundova edhe të tretin.

Në dorëshkrimet e Faik Konicës a keni mësuar, sa e vështirë ka qënë për të botimi i Albanisë?

Në një letër që unë e kam trashëgimi, Faik Konica i shkruan austrohungarezëve për t’u kërkuar para, sepse nuk kishte për ta botuar revistën. “I nderuar zotëri jam shumë i sëmurë, jam në gjendje depresive. Më nevojiten para për të nxjerrë revistën”, shkruante Faiku. Edhe në atë gjendje që ishte e kishte mendjen të punonte për Shqipërinë. Me keqardhje e them që shteti duhet të jetë më i vëmendshëm, ndaj këtyre figurave që kanë lartësuar kombin dhe identitetin kombëtar.

Po ju vetë jeni përballur me vështirësi financiare për ribotimin e revistës?

Të njëjtën gjë kam përjetuar edhe unë gjatë tre viteve të fundit me botimet e vëllimeve të Konicës. Shkova 6 milionë lekë borxh në shtypshkronjë, në botimin e tretë. Prisja donacione nga shteti, prisja të kishte një shitje të madhe. Në Prishtinë pati shitje ndërsa në Shqipëri jo. Më bëjnë përshtypje të rinjtë, kur pyesin se çfarë është Konica? Kush është ai? Të rinjtë janë shumë të paditur. Në Shqipëri lexueshmëria ka qënë shumë e dobët.

Tani kam shlyer një pjesë të borxheve dhe shpresoj që t’i likujdoj së shpejti. E falënderoj Mileniumin që më priti. Është gjë shumë e madhe që të të besojë një shtypshkronjë, që deri kur të shitësh librin të paguash detyrimet dhe borxhin. Deri tani kemi botuar 3 vëllime dhe kemi dërguar në shtypshkronjë vëllimin e katërt dhe të pestë. Në total janë 11 vëllime. Kudo që kam trokitur për ndihmë nuk kam gjetur asnjë predispozicion pozitiv.

Në Panairin e Librit kemi gjetur nga Konica, më të fundit botim, “Një orkide në filiqen time”…

Autori kosovar Ymer Jaka ka botuar librin “Një orkide në filiqen time”, ku pasqyrohet korrespondenca e Faik Konicës me Gijom Apoliner së bashku me bisedat që kanë patur. Të gjitha këto i siguruam në Prishtinë. Në promovimin e vëllimit të parë në Prishtinë vjen dhe na takon bashkëshortja e Ymer Jakës, i cili kishte kërkuar në rininë e tij të shkonte në Paris për studime.

Qëllimi kryesor i tij ishte të merrte dhe të siguronte letrat që kishte shkëmbyer Konica me Gijom Apolinerin. I kishte gjetur. Bashkëshortja e tij nuk na i dha për dy vjet me radhë. Na i dërgoi këtë vit. Letrat ishin mbajtur shumë mirë. Kishim dy variante për titull: “Takim në Metro” dhe “Një orkide në filiqen time”. Në fund titullin ja vumë “Një orkide në filiqen time”. Në panair libri tre ditët e para është pritur shumë mirë, ndërsa më pas ka shënuar rënie.

 

Libri “Një orkide në filiqen time”

Në vëllimin "Një orkide në filiqen time", studiuesi kosovar Ymer Jaka ka përkthyer dhe përmbledhur të gjitha letrat e shkruara nga Faik Konica për autorin francez Gijom Apoliner. Të dy shkrimtarët e njohur i lidhte një miqësi e ngushtë dhe e sinqertë dhe megjithëse u takuan vetëm dy herë. Në librin e autorit nga Gjakova, Ymer Jaka, janë përmbledhur 40 letra, në të cilat jepen edhe përshtypjet e dy takimeve në Londër, në vitin 1903 dhe në prill të vitit 1904. Për gati një dekadë dy personalitetet e letrave shqipe dhe frënge zhvilluan jo vetëm miqësinë e tyre, por ndikuan edhe në njohjen e ndërsjelltë të kulturës së njëri-tjetrit dhe të vendeve të tyre. Në maj të vitit 1912 Gijom Apolineri shkruan mbi miqësinë, që kishte me publicistin shqiptar artikullin e gjatë "Faik Bej Konica" në revistën "Le vie anectodique".