Fernando Alonso i ka dhënë Ferrarit fitoren e parë të vitit 2013 në Formula 1, pasi taktika e zgjedhur për të nisur garën me gomat e buta rezultoi ajo e duhura në Çmimin e Madh të Kinës, ku strategjitë përcaktuan edhe renditjen e pilotëve.
Kimi Raikonen me Lotus dhe Luis Hemilton me Mercedes përfunduan në podium pas krahëve të tij, ndërsa strategjia e zgjedhur nga Sebastian Vetel, i dha atij vetëm vendin e katërt, ndonëse pak metra e ndanë nga piloti që gjendej para tij.
Gara u nda në dy grupe pilotësh, mes atyre që e nisën garën me goma të buta, për t’u shkëputur dhe më pas për të hyrë shpejt në pit-stop, si dhe atyre që zgjodhën të niseshin me gomat e mesme, për të vuajtur në mes të garës përdorimin e gomave të buta, të detyrueshme nga rregullorja.
Fernando Alonso dhe Felipe Masa i bënë një start të shkëlqyer garës duke u vënë menjëherë pas krahëve të Luis Hamilton dhe duke arritur më pas ta kalonin atë në xhiron e pestë. Nëse Alonso bëri një ndërrim të shpejtë të gomave të tij të buta, Masa zgjodhi të qëndronte pak më shumë në pistë, kështu që humbi mundësinë për të qëndruar me kryesuesit. Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës përdori strategji të ndryshme për të evituar trafikun në pjesën më të madhe të kohës, si dhe arriti të shfrytëzonte shpejtësinë që i jepnin gomat e reja për të arritur dhe kaluar Vetel, i cili deri në ato momente kishte përdorur një zëvendësim gomash më pak.
Në xhiron e 42-të, Alonso kreu parakalimin përfundimtar ndaj Vetel, duke vazhduar i qetë në vendin e parë, pasi dinte se gjermani do të ishte i detyruar që të zhvillonte një tjetër ndërrim gomash për të vendosur të butat, gjë që ndodhi vetëm 5 xhiro para fundit. Kampioni i botës u mundua të rifitonte pozicionet, por dy pilotët para tij, Raikonen dhe Hamilton arritën të “mbijetonin” në pistë me goma praktikisht të shkatërruara, duke u ngjitur në podium.
Vendi i pestë i shkoi Xhenson Baton, i cili përdori një strategji me dy ndalesa në bokse, ndërsa përfundoi garën para Felipe Masa. Daniel Riçiardo me Toro Roso mori vendin e shtatë me Pol Di Resta të Force India që mori vendin e 8-të dhe Roman Groszhan që mori vendin e nëntë. Vendin e fundit në zonën e pikëve e siguroi Niko Hulkenberg me Sauber, të cilin e penalizuan strategjitë e skuadrës, pasi për një pjesë të garës gjendej shumë pranë kreut.
Dy zhgënjimet në pistën kineze ishin Mark Ueber dhe Niko Rosberg, të cilët u tërhoqën nga gara që në pjesën e parë pa u bërë asnjëherë protagonistë. /lajmeshqip
Renditja e Botërorit të pilotëve:
52 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
49 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
43 Fernando Alonso (Ferrari)
40 Luis Hemilton (Mercedes)
30 Felipe Masa (Ferrari)
26 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
12 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
12 Niko Rosberg (Mercedes)
11 Roman Groszhan (Lotus-Reno)
8 Pol Di Resta (Force India-Mercedes)
6 Daniel Riciardo (Toro Roso-Ferrari)
6 Adrian Sutil (Force India-Mercedes)
5 Niko Hulkenberg (Sauber-Ferrari)
2 Serxhio Perez (MekLaren-Mercedes)
1 Zhan Erik Vernje (Toro Roso-Ferrari)





