Itali, 18 gusht 2014 – Edhe pse për 3 sezone është gjendur në rivalitet mjaft të ashpër me 4 herë kampionin Sebastian Vettel, për Fernando Alonson është Michael Schumacher, rivali që e konsideron si më të fortin në karrierën e tij. Në Formula 1, piloti spanjoll kaloi në vitin 2001, në vitin e dytë të dominimit 5-vjeçar të Schumit dhe 4 vjet më vonë ishte pikërisht Alonso me Renault që i dha fund mbretërimit të 7 herë kampionit, duke fituar për dy sezone radhazi në 2005-ën dhe 2006-ën. Që nga ajo kohë, asturiani është përleshur në pistë me Hamilton, Raikkonen e Vettel, por asnjëri prej tyre nuk mund të krahasohet me legjendën e kokëkuqes.

“Ishte Michael, rivali më i fortë që kam patur në Formula 1 sepse ai ishte në një nivel krejt tjetër. Me Schumin nuk ishte kurrë e lehtë. Edhe në pak vjet kur ishim pak a shumë në kushte të njëjta, ai gjithmonë të rezervonte diçka të veçantë, sepse jepte më shumë nga sa mund të prisje ose ndoshta jepte më shumë nga kapaciteti i makinës”.

Në lidhje me pilotët që ka patur në skuadër, 2 herë kampioni veçon Jarno Trullin për aftësinë në provat zyrtare dhe Giancarlo Fisichellan, të cilin e konsideroi një pilot të kompletuar. Te Ferrari ishte Massa dhe më pas Raikkonen, por për Alonson është vështirë të zgjedhë njërin si më të fortë, ndërkohë që shpjegon edhe miqësinë në Formula 1.

“Po, mund të ketë miqësi por jo në kuptimin e vërtetë siç mund të kesh një shok nga fëmijëria apo nga shkolla që e njeh prej vitesh. Në Formula 1, miqësia nuk është e detyruar, por vjen nga fakti se me këta njerëz kalon 300 ditë të vitit dhe në shumë raste ndan gjëra që nuk kanë lidhje me punën”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/