Policia ka dhënë informacion zyrtar për bllokimin e alpinistëve në malin e Murganës, ditën e sotme. Sipas njoftimit, asnjë prej alpinistëve nuk është në rrezik për jetën, teksa është bërë i mundur transportimi i tyre në fshatin Sotirë.

Nga ana tjetër theksohet se 17-vjeçari i cili rrëshqiti, ka dëmtuar këmbën.

“Në sallën e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se disa alpinistë ndodhen në malin Morgan, mbi fshatin Sotirë dhe kanë nevojë për ndihmë pasi shtetasi E. K., rreth 17 vjeç është rrëzuar dhe ka dëmtuar këmbën. Menjëherë pas njoftimit janë nisur për në malin Morgan, forcat Shqiponja të DVP Gjirokastër, shërbimet e Postës së Policisë Dropull dhe Forcat e Ushtrisë për tiu ardhur në ndihmë këtyre shtetasve. Aktualisht këta shtetas po ndihmohen nga shërbimet e policisë, ku po transportohen me mjetet e policisë drejt fshatit Sotirë dhe asnjë prej tyre nuk ka rrezik për jetën”,- njofton policia.