Gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar ditën e sotme me studentët në Universitetin e Shkodrës, kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi se Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për çështjen McGonigal, që në Janar të vitit 2022.

Dumani theksoi se SPAK duhet të ketë diçka konkrete për ta publikuar.

 “Për SPAK nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Shumë media në shkurt të vitit të kaluar e deri para 10 muajsh nuk kanë lënë kritika për aferën “McGonigal”. Kritikët duhet të ndihen të zhgënjyer sepse e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet të presim momentin kur të kemi diçka konkrete për ta publikuar. Në fakt nuk bëjmë publik çdo gjë që bëjmë. Natyra e punës tonë kërkon që të jemi diskretë. Presionet politike nuk na bëjnë përshtypje. E kemi zgjedhur ta bëjmë këtë punë. Mua nuk më shqetëson fare”, mësohet të jetë shprehur Dumani.