Mbi 10 mijë objekte në qarkun e Durrësit nuk do të përfshihen në procesin e legalizimeve. Ekspertët e ALUIZNI-t kanë evidentuar në terren objektet që nuk mund të përfshihen në procesin e legalizimeve, pasi janë ngritur në zonën A dhe B arkeologjike të qytetit të Durrësit dhe Krujës. Kreu i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi shprehet se janë evidentuar rreth 10 mijë objekte në Durrës, Shijak e Krujë, të cilat nuk mund të futen në skemën e procesit të legalizimeve.
Në një prononcim për “Ora News”, Gjuzi thotë se zonat me numrin më të lartë të objekteve pa leje që nuk do të përfshihen në proces janë: zona A dhe B e qytetit të Durrësit, kodra nga Vila deri në Porto-Romano, një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Durrësit, një pjesë e zonës së ish-Kënetës dhe qindra objekte në rrethin Krujë. “Ekspertët e ALUIZNI- t në terren kanë verifikuar të gjitha objektet e ngritura në territorin që mbulon drejtoria e ALUIZNI- t Durrës. Nga verifikimet, kemi dalë në përfundimin se janë mbi dhjetë mijë objekte të ngritura në qarkun e Durrësit, ku përfshihen Kruja, Fushë-Kruja dhe Shijaku, të cilat nuk do të përfshihen në skemën e procesit të legalizimit. Zonat me numrin më të lartë të objekteve pa leje që nuk do të përfshihen në proces janë: zona A e qytetit të Durrësit, e cila konsiderohet zonë arkeologjike, kodra nga Vila deri në Porto-Romano, një pjesë e zonës së ish-Kënetës dhe në rrethin Krujë”, thotë Flamur Gjuzi, drejtori i ALUIZNI-t për qarkun Durrës.
Sipas tij, edhe më herët ishin evidentuar një numër i konsiderueshëm objektesh në qarkun e Durrësit që nuk do të legalizoheshin, por pas verifikimeve që specialistët e ALUIZNI-t kanë kryer në terren, bëhet fjalë për një numër shumë të lartë objektesh, 10 mijë të tilla. “Nga informacionet paraprake që kishim si drejtori, bëhej fjalë për rreth 500-600 objekte të ngritura kryesisht në zonën e kodrës së Durrësit, duke u shtrirë drejt Porto-Romanos dhe disa objekte të ngritura pranë kalasë së Krujës. Por pas verifikimeve që kemi kryer kohët e fundit në terren, kemi dalë në konkluzionin se kemi të bëjmë me një numër shumë herë më të lartë ndërtimesh, të cilat nuk do të përfshihen në proces, pra rreth dhjetë mijë”, deklaron Flamur Gjuzi. Një pjesë e objekteve ndodhen në kodrat e Durrësit, ku një pjesë e objekteve janë ngritur mbi kolektor, ndërsa disa të tjera rrezikojnë shembjen për shkak të erozionit. /Gazeta Shqiptare