Tiranë, 27 qershor 2014 Gazeta Shqiptare shkruan sot se amaneti që biznesmeni i suksesshëm Artan Santo u kishte lënë familjarëve të tij kohë më parë ishte të mos dilte i vdekur nga shtëpia.

Të vetmen gjë që ai duket se e ka pasur frikë, ka qenë fakti se kur të vdiste një ditë, trupin e tij do e nxirrnin nga shtëpia e tij, gjë që nuk e ka dashur kurrë. "Të vdekurit nuk duhet të dalin kurrë nga shtëpitë e tyre",- thoshte ai.

Amanetin e tij familjarët do ta çojnë në vend, pasi trupi i të ndjerit nuk do të dalë nga shtëpia e tij, por nga hotel Sheraton, vendi ku të afërmit, miqtë, kolegët dhe shumë të tjerë do t’i bëjnë homazhet e fundit, para se arkivoli të niset drejt varrezave të Sharrës, ku në orën 16.00 do të organizohet ceremonia funebre për 58 vjeçarin.   

Artan Santos iu bë pritë në një atentat mafioz nga dy persona të maskuar me skafandra dhe me motor pa targa, të cilët e qëlluan me gjashtë plumba pistolete, teksa Santo kishte lënë automjetin e tij për t’i drejtuar si çdo ditë, bankës Credins, të cilën e drejtonte prej vitesh. Një plumb në kokë dyshohet se ishte fatal duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/