Amarda Toska dhe Ermal Mamaqi, vetëm pak ditë më parë kanë festuar 10-vjetorin e biznesit të tyre në një ceremoni të mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Një dekadë pas krijimit të agjencisë së eventeve, për Amin dhe Ermalin, sfidat nuk kanë qenë të pakta, por sot janë të dy të lumtur që ia kanë dalë të realizojnë qëllimet që i kishin vendosur vetes qysh në ditën e parë.
E ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Ami tregoi më shumë për ecurinë e 10 viteve në biznes, pa harruar vështirësitë e viteve të para: “Mbaj mend që në fillim të biznesit, punoja në Portokalli. Të premten dhe të shtunën ishte shfaqja, ndërsa të dielën, ndërsa transmetohej Portokallia, unë isha në terren me tuta.
Njerëzit shpesh edhe habiteshin kur më shikonin: Ami? më pyesnin me dyshim kur më shikonin ashtu…Ishin vite me sfida dhe vështirësi të mëdha, shpeshherë edhe ekonomike…” – tregon Ami duke shtuar se si fillim, ajo dhe Ermali kishin marrë një kredi, pastaj e ndihmonin biznesin edhe me rrogat në televizion: “Fillimisht kemi marrë një kredi, pastaj edhe me rrogat që merrnim edhe nga puna në televizion… Ishim shumë të rinj atëherë…” – kujton ajo.
Ndërsa Rudina ndërhyn duke i kujtuar punën dhe rrogën e saj të parë: “Po ti rrogën e parë e ke marrë në Klan apo jo?” – e pyet moderatorja: “Është e vërtetë, rrogën e parë e kam marrë në Klan dhe i jam shumë mirënjohëse Klanit për mundësinë që më ka dhënë. Në atë kohë, unë sapo kisha mbaruar shkollën e mesme kur u bëra pjesë e grupit të Albit…” – tregon moderatorja.
Televizioni Klan ishte dera që i hapi rrugën një karriere të gjatë në ekran, tregon më tej Ami. Edhe pse prej disa vitesh është tërhequr për t’iu përkushtuar plotësisht biznesit, moderatorja dhe sipërmarrësja është gjithmonë e hapur për projekte të reja televizive që do t’i ofrohen./Revista Class