Të premten e 12 tetorit, erdhi e luajti në Tiranë Islanda. Përfaqësuesja e shtetit ishullor, që gati 70 përqind të territorit të saj e ka të mbuluar nga vullkanet luajti në këtë ditë me kombëtaren shqiptare. Jam ndodhur në këtë shtet me natyrë të bukur dhe të begatë, në vitin 1995 kur Teuta e Durrësit luajti me ekipin Akranes, një qytet ky disa dhjetëra kilometra larg kryeqytetit të vendit Rejkjavik.

Na mundën 5-1, me një futboll të thjeshtë, racional por frymëzues. Pikërisht përfaqësuesja e këtij shteti, ku dominon e folura në gjuhën daneze vjen në kryeqytetin shqiptar. Deri para kësaj dite kishte zhvilluar dy ndeshje. Kishte mundur në Rejkjavik përfaqësuesen e Norvegjisë 2-0 dhe humbi në Qipro 1-0.

Një fakt që nuk u analizua gjerësisht bëri përshtypje. Si asnjë ekip tjetër, të paktën nga ato që kanë ardhur deri tani të luajnë në Shqipëri, këta islandezë që dallojnë nga natyra e ftohtë e një vendi me një klimë të tillë, nga shtati i lartë dhe flokët të shndritshëm dhe të bardhë, erdhën në Shqipëri një javë përpara datës 12 tetor.

Pinin shumë çajra, hanin me tepri banane dhe laheshin tërë kohën në pishinën e Sheratonit. Temperaturat joshëse të Shqipërisë, i kënaqën islandezët sanguinë të cilët përgatiteshin në fshehtësi për betejën e 12 tetorit. Ndërkohë në kampin shqiptar, të dukej sikur kishte plasur ahengu i parakohshëm. Kishte ndër ata, që në letër kishin guxuar ta çonin këtë kombëtare deri në finalet braziliane të 2014-tës. Të ishte e vërtet kjo?

Zemra dhe shpirti sigurisht na e donte. Madje edhe i pari i pankinës kuqezi, italiani Xhani De Biazi, bënte thirrje se kjo kombëtare me përkrahjen e tifozërisë do të linte zemrën në fushë. Parashikimet e të nxituarve i jepnin Shqipërisë (me një stadium nga më të paimagjinueshmit për botën e futbollit sot) 6 pikë, sepse pas Islandës me 16 tetor vijnë luajnë tek ne edhe sllovenët. Tre pikë këtu e një atje dhe dilte që kjo kombëtare vendin e kishte në Brazil. Të qe e vërtetë kjo?!

Sigurisht që i binte më parë të shikonim se si do të zhvilloheshin ngjarjet me 12 tetor. Por zemrën në fushë i takonte ta linin edhe islandezët, që në një deklarim të trajnerit të tyre suedezit Lars Lagerbak ishte folur edhe për rezultat në Tiranë. Por euforia e kishte fshehur këtë pohim dhe mbetej që në fushë do të lihej vetëm një zemër, ajo e shqiptarëve. Ajo që bën përshtypje është euforia që e shoqëronte këtë pragndeshje, që në gjuhën sportive njihet me emrin psikologjia e lojës. Duket se ndeshja ishte humbur që këtu.

Çfarë vlen deklarimi i italianit pas konsumimit të 90-të minutave të ndeshjes:”E tmerrshme, na mundi Islanda. Disfatë shumë e hidhur. Krijuam raste pa fund, por pësuam dy gola foshnjërakë”. Këtë kërkon të nënvizojë edhe objekti i këtij komenti. De Biazi duhet të dinte historinë e trajnerëve paraardhës të tij, me histori të topkëmbës shumë më të bujshme dhe të lavdishme se sa ai.

Kanë drejtuar këtë kombëtare Brigel dhe Han, kampionë të mëdhenj të botës së futbollit, për të vazhduar me Oto Bariç dhe Josip Kuzhe-në. Dhe të tëra janë larguar pa lavdi, duke mos bërë atë që u kërkohej, por edhe atë që kishin marrë përsipër. Kur kemi parë dy golat që kemi pësuar nga Islanda, por veçanërisht i pari jemi befasuar nga këta profesionistët tanë që vijnë nga ekipe klubesh evropiane.

Kur Ujkanit iu “tall” topi nëpër këmbë, me kujtua i madhi i portës shqiptare Sul Maliqati që në një stërvitje të kombëtares në Durrës më pati thënë: “Ky nuk është portjeri që i duhet kombëtares tonë. Këmbët i mban të hapura duke rrezikuar.” Dhe profecia e Maliqatit ndodhi. Por edhe mbrojtja mund të fajësohet, duke mos kursyer edhe shumë të përkëdhelurin Lorik Cana.

Një pjesë e futbollistëve, sidomos Dallku nuk kanë progres dhe loja e tyre është e lexueshme. Kjo kombëtare nuk ka aftësi improvizuese dhe aq më pak tregues teknikë në përdorimin e topit. Një kombëtare që shikon më shumë nga porta e saj se sa nga ajo e kundërshtarit, zor se mund të të bindë për ecurinë e saj. De Biazi më shumë po evidenton vlera tek rezervat që aktivizon, se sa tek ndërtimi i formacionit. Tifozëria pranoi sfidën. Në mes të “qametit” nuk iu nda kuqezinjve të saj, ndonëse u “tradhtua” prej tyre.

Në se humbja me Zvicrën justifikohet, kjo me Islandën është këmbanë alarmi. Dhe De Biazi në një pikë nuk gabon, duke e konsideruar humbjen të tmerrshme. Futbollistët shqiptarë janë amatorë profesionistë të pakonkurueshëm, ndonëse si kurrë më parë FSHF-ja vendos premio të natyrës së shteteve të përparuara në futboll. Të martën është takimi i katërt në grup, ai me Slloveninë. A do të zbehet deri diku ku amatorizëm profesionist?