·      Ekskluzive e “Dyrrah”-ut / 227 vjet më parë, në maj 1787, prici austriak, por edhe një nga memorialistët më të shquar evropianë të shekullit XVII, Sharl-Zhozef de Linj (Charles-Joseph de Ligne) ka zbuluar në Krime (Ukrainë) “200 femra apo vajza të bukura” të “një batalioni Shqiptaresh” (bataillon d'Albanoises)

Nga Thanas Mustaqi

DURRËS, 6 janar 2014 –Këtu e 227 vjet më parë, në maj 1787, një pric austriak, por edhe një nga memorialistët më të shquar evropianë të shekullit XVII, ka zbuluar në Krime (Ukrainë) “200 femra apo vajza të bukura” të “një batalioni Shqiptaresh” (bataillon d'Albanoises) në shërbim të Katerinës së Madhe të Rusisë. Fakti bëhet më intrigues se në vitin 1787 në Evropë dhe Rusi njihej kombësia shqiptare. Libri “Lettres et Pensées” me autor Sharl-Zhozef de Linj (Charles-Joseph de Ligne), është botuar, në vitin 1809, nën kujdesin e shkrimtares së famshme franceze Madam dë Stal (Madame de Staël). Është zbulim me rëndësi për historinë e Shqipërisë, teksa konstatohet se është rasti i parë që në përbërje të ushtrive të asaj kohe kishte nënrepart apo njësi vetëm me femra. Por nuk ka se si të mos tërheqë vëmendjen dualiteti i historiografisë ruse: në kohën e perandorisë flitet për një “albankaja rota” (rusisht për “kompani shqiptare”) me “amazona”, që i përshëndet vetë Perandoresha dhe në ditët e sotme, nën ndikimin e qarqeve ekstremiste greke, ka gazetarë dhe historianë që shqiptaret i bëjnë greke.  

NGJARJA

Në vitin 1787 Katerina II (e Madhe) filloi një turne të gjatë inspektimi në Taurida, që zgjati deri në muajin korrik. Të ftuar në këtë turne ishin përfaqësuesit diplomatikë të Anglisë, Francës dhe Austrisë, Stanisław Poniatowski, mbreti i Polonisë dhe perandori i Austrisë Josef II. Turneu kishte si qëllim të demonstroheshin mundësitë ekonomike dhe ushtarake të Rusisë dhe territoriete rifituara. Me këtë rast Grigorij Potemkin / Potjomkin, një nga zyrtarët më të lartë të Rusisë dhe favorit i Katerinëse, e mori me frymëzim formimin e një njësie ushtarake femrash si inskenim të amazonave mitike, që u përdorën për të luftuar në fushat ruse të udhëhequra nga një mbretëreshë. Me urdhër të komandantit K. G. Zaponis dhe mikut të tij Pavlos Sarantis (Sarantov) u rekretuan rreth njëqind gra dhe bija ushtarësh, të cilat forman një “batalion amzonash” me në krye Eleni Ivanovna Sarantovën, gruan e Ioanis Sarantos-it. Ky i fundit ishte mik i Potjomkinit dhe më vonë u emërua këshilltar në gjykatën e Krimesë. Femrat bënë përgatitje intensive ushtarake në hipizëm, skermë dhe qitje me armë. Më 24 maj (qershor 4) 1787 “batalioni i Amazonave” u takua me Katerinën në fshatin Kadikëj, të hipura mbi kuaj, me uniforma të hijshme dhe të armatosura me pushkë të gjata. Me sa duket, spektakli u la përshtypje të madhe vizitorëve të huaj aristokratë, pasi Jozefi II shprehu kënaqësinë e tij duke i përqafuar amazonat dhe duke u bërë vizitë në kampin e batalionit, ndërsa diplomatë e tjerë e konsideruan pjesë eventesh spektakolare që organizonte Potjomkini për t’u bërë përshtypje Katerinës dhe mysafirëve të huaj. 19-vjeçares Eleni Sarantova iu dha grada e kapitenes, si dhe një byzylyk me diamante. Batalioni u shpërblye me 10 000 rubla. “Amazonat” shoqëruan Katerinën dhe u shpërndanë pas përfundimit të turneut.

PRINC SHARL-ZHOZEF DE LINJ (CHARLES-JOSEPH DE LIGNE):

“Unë nuk pashë këtu fytyra të zbuluara femrash, përveç një batalioni Shqiptaresh nga një koloni e vogël maqedonase e vendosur në Balaklava: 200 femra apo vajza të bukura, [të armatosura] me pushkë, bajoneta dhe ushta, kraharore amazonash dhe me flokë të gjatë dhe gërsheta të hijshme, po vinin drejt nesh në shenjë nderimi, por jo nga kërshëria [Je n’ai vu, du reste, en fait de visages, que ceux d'un bataillon d'Albanoises d'une petite colonie macédonienne établie à Balaclava: 200 jolies femmes ou filles, avec des fusils, des baïonnettes et des lances, avec des seins d'amazone, et des cheveux longs et tressés avec grâce, étoient venues à notre rencontre pour nous faire honneur, mais point par curiosité]”. Nga letra e princit Sharl-Zhozef de Linj (Charles-Joseph de Ligne), që ishte në shpurrën e Perandores Katerian e Madhe. Marrë nga libri “LETTRES ET PENSÉES” DU MARÉCHAL PRINCE DE LIGNE, PUBLIEES par Mad. la Baronne DE STAËL HOLSTEIN. Quatrième édition. REVUE ET AUGMENTÉE, A PARIS, Chez J. J. Paschoud, Libraire, Quai des G.ds -Augustins,n°II, près le pontSt.-Michel. A GENÈVE, Chez le même Libraire. 1809 (shih faksimilen e citimit dhe frontespicin / ballinën e librit).

JA SE SI E TREGON NGJARJEN VETË SARANTOVA:

“[Në mars -prill 1787] takimi me Perandoreshën duhej të ishte afër Balaklava-së, pranë fshatit Kadikovka, dhe kompania nën komandën time ishte rreshtuar në fund të rrugës, plot me portokalle, limonë dhe dafina. Së pari erdhi Perandori Romak Josif [është fjala për Jozef-in II] hipur në kalë për të parë gjirin e Balaklavasë dhe rrënojat e një fortese të lashtë. Pasi pa Amazonat, erdhi drejt meje dhe më puthi në buzë, gjë që shkaktoi tronditje të madhe në kompani. Por unë i qetësova vartëset e mia me fjalët: “Komanda: Qetësohu! Ç’është kjo frikë? Ju e patë vetë se Perandori as më shkuli buzët dhe as më la të tijat”. Fjala “Perandor” i trazoi Amazonat, të cilat nuk e dinin se kush ishte ai që po afrohej. Pasi eksploroi gjirin dhe rrethinat, udhëtari Perandor u kthye drejt Perandoreshës, dhe tashmë mbërriti për herë të dytë drejt Kadikovkës me Madhërinë e Saj dhe princin Potjomkin në karrocën e Saj. Në Kadykovka Perandoresha u takua priftin e regjimentit së Balaklavasë. Pa zbritur nga karroca, Perandoresha më thirri pranë, më dha dorën, më puthi në buzë dhe, pasi më ra krahëve, denjoi të thoshte: “Ju përgëzoj, Kapitene e Amazonave! Kompania juaj është në rregull: jam shumë e kënaqur me të”.

Info

Princi Sharl-Zhozef dë Linj 

Charles-Joseph de Ligne (23 maj 1735, Bruksel-13 dhjetor 1814, Vjenë) ishte komandant, diplomat dhe shkrimtar belg, ndonjëherë i quajtur “më i madhi i Valonëve” (le plus grand des Wallons). Është konsideruar si një nga tre memorialistët më të mëdhenj të shekullit XVIII, krahas Xhakomo Kazanovës (Giacomo Casanova, 1725-1798) dhe Xhuzepe (Giuseppe) Gorani-t (1740-1819), dhe u admirua nga Gëte-ja (Goethe), Lord Bajron-i (Byron), Barbe d’Orevili-a (Barbey d’Aurevilly), Pol Valeri-a (Paul Valéry) dhe Pol Moran-i (Paul Morand). Me origjinë nga familja fisnike belge-franceze Linj (Ligne) nga Eno-ja (Hainaut / Henegouwen / Hennegau), lindi më 23 maj 1735 në Bruksel. I ati, Klod (Claude) Lamoral II, Princi 6 de Linj (6 Prince de Ligne), ishte feldmareshal austriak dhe anëtar i Këshillit të Shtetit të Perandorisë së Shenjtë Romake. Në vitin 1752 hyri në ushtrinë austriake me gradën e nëntogerit. Mori pjesë në Luftën Shtatëvjeçare,  pasi shkëlqeu në betejën e Hohkirhe-s u gradua major ndërkohë nga fundi i luftës emri i tij ishte tashmë popullor në ushtrinë austriake si oficer trim dhe njeri mendjemprehtë. Në vitin 1755 ai u martua me Fransuazë Mari fon Lihtejshtajn (Françoise Marie von Liechtenstein (e bija e Emanuel Liechtenstein). Në 1764, Linj u gradua gjeneralmajor, dhe në vitin 1771 me gradën e gjenerallejtënantit (në atë kohë gjermanisht: Feldmarschall-Leutnant). Ai u bë mik i ngushtë dhe këshilltar i perandorit Joseph II, dhe, duke trashëguar pasuritë e mëdha të të atit, jetoi në mes shkëlqimit dhe luksit më të madh deri para Luftës për Trashëgiminë Bavareze (gjermanisht: Bayerische Erbfolgekrieg), ose ndryshe Lufta e Patates, gjermanisht:                                                                                               Kartoffelkrieg, në korrik 1778-21 maj 1779, komandoi pararojën në ushtrinë e Ernst Gideon fon Laudon-it (von Laudohn). Kjo luftë ishte e shkurtër dhe e qetë, dhe princi më pas udhëtoi në Angli, Gjermani, Itali, Zvicër dhe Francë, duke iu përkushtuar pa ndonjë pasion gjykatave, kampeve, salloneve dhe mësoi në mbledhje  filozofësh dhe shkencëtarësh në çdo vend. Frekuentonte Giacomo Casanova-n, me të cilin ai u bë mik i ngushtë, me poetin gjerman Viland (Wieland), me shkrimtaren e famshme franceze Anë-Luizë Zhermenë, baroneshë dë Stal-Olshtajn (Anne-Louise Germaine baronne de Staël-Holstein), apo thjesht Madam dë Stal (Madame de Staël; 1766-1817), dhe mban korrespodencë me themeluesit e Iluminizmit: Ruso (Rousseau) dhe Volter (Voltaire); me gjeniun Gëte (Goethe); me perandorë etj. Pati admirim të madh për Frederikun / Fridrih-un e Madh të Prusisë (Friedrich der Große, Friedrich II, 1712-1786), madje deri në përligjjen e pushtimit të Silezisë. Në vitin 1782 u dërgua nga Perandori Joseph II në Rusi me porosi të rëndësishme dhe, i pritur me dashamirësi nga Perandorja Ekaterina II, qëndroi për një kohë të gjatë në Rusi. Kur filloi lufta e dytë me Turqinë, Lin u emërua në me gradën feldcojgmajster (Feldzeugmeister), ekuivalente sot me gradën e gjenerallejtënantit të artilerisë, në armatën e princit Potjomkin, kurse në vitin 1789, duke komanduar korpusin austriak, personalisht mori Beogradin. Menjëherë pas rrethimit të Beogradit u ftua për të kryesuar lëvizjen revolucionare belge, në të cilën një nga bijtë e tij dhe shumë nga të afërmit e tij u bënë të njohur, por nuk pranoi me mirësjellje të madhe, duke thënë se “ai asnjëherë nuk është rebeluar në dimër”. Edhe pse Jozefi dyshonte për marrëveshje të fshehta me kryengritësit, të dy miqtë nuk u larguan nga njëri tjetri, dhe pas vdekjes së perandorit, princi qëndroi në Vjenë. Pasuri e u pushtuan nga francezët në vitet 1792-1793, dhe djali i tij i madh vra në një aksion në verilindje të Francës në kufi me Belgjikën, në Кrua-dy Bua (La Croix-du Bois) në Argonë (Argonne), më 14 shtator 1792. Me gjithë humbjen e pasurive, jetoi relativisht në në luks në fund të jetës, dhe iu përkushtua punës letrare. Gjatë Luftës së Koalicionit Parë humbi të gjithë pasurinë e vet në Belgjikë dhe qëndroi përgjithmonë në Vjenë. Leopold-i II e nxori në lirim dhe ai u kthye në shërbim vetëm në kohën e Francit (Franz) II, i cili në 1808 i dha gradën e feldmareshalit dhe emëroi anëtar të Ofkrigsrat-it (Hofkriegsrat – këshilli ushtarak i Perandorisë Austriake). Pas disfatës së Napoleonit, mori pjesë në Kongresin e Vjenës. Ai është përshkruar si një nga meshkujt më simpatikë që kanë jetuar ndonjëherë. Vdiq gjatë një prej seancave të 13 dhjetorit 1814 në moshën 79 vjeç, në Vjenë. La pas 32 vëllime me shënime nën titullin: “Mélanges militaires, littérarires et sent mentaires” (1795-1804).

Joseph II (1741-1790)

Joseph II (1741-1790), mbreti i Gjermanisë nga 27 mars i vitit 1764, u zgjodh perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake më 18 gusht 1765, djali i madh i Maria Terezës, deri në fund të nëntor 1780 ishte bashkë-regjent i saj; pas vdekjes së nënës së saj më 29 nëntor 1780 trashëgoi nga ajo zotërimet e Habsburgëve – arkidukatin Austriak, mbretëritë e Bohemisë dhe Hungarisë. Burrë shteti i shquar, reformator, përfaqësues i epokës së shkëlqyer absolutizmit iluminist.

Katerina e Madhe

Katerina II., ose Katerina e Madhe (lindur në 1729 in Shtetin (Stettin) – vdekur në vitin 1796 në Sankt Petersburg). Emri në gjermanisht: Sophie Auguste Friederike von Anhalt-Zerbst-Dornburg, pagëzuar si ortodokse ruse: Jekaterina Aleksejevna. Udhëhoqi Rusinë nga 9 korriku 1762 (kur mori pushtetin pas grushtit të shtetit, ku u vra dhe burri i saj Pjotri III) deri më 17 nëntor 1796, për një periudhë prej 34 vjetësh. Qeverisja e Katerinës rivitalizoi Rusinë duke zgjeruar territoret dhe duke u bërë një prej Fuqive të Mëdha të Evropës. Ajo besonte në fenë luterane, por më pas u kthye në ortodokse. Gjatë sundimit të saj ajo zgjeroi territoret në jug dhe perëndim të perandorisë, duke përfshirë Rusinë e Re, Krimenë, Kaukazet Veriore, bregun e djathtë të Ukrainës, Bjellorusinë, Lituaninë dhe Letoninë, duke shtuar sipërfaqen e perandorisë së saj.

Princ Grigori Potjomkin

Princ Grigori Potjomkin-Tavriçeski (1739-1791), burrë shteti rus, kont, gjeneral-feldmareshal-(1784), që udhëhoqi bashkimin në perandorinë ruse të Rusisë së Re, ku zotëronte sipërfaqe kolosale tokash dhe themeloi një numër të qytetesh. Përflitej si favorit, dhe që nga 8 qershor 1774, sipas raporteve të pakonfirmuara, bashkëshort morganatik i Katerinës II.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/