Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara tha të premten se po pezullonte përkohësisht të gjitha shërbimet për qytetarët amerikanë dhe ato të vizave në konsullatat e saj në Turqi, për shkak të raportimeve për sulme të mundshme terroriste.

Ambasada tha në një njoftim se “Misioni i SHBA në Turqi ka marrë raporte të besueshme për sulme të mundshme terroriste dhe rrëmbime kundër shtetasve amerikanë dhe të huaj në Stamboll, përfshirë edhe kundër konsullatës së përgjithshme amerikane apo edhe në qytete të tjera të Turqisë”.

Në një komunikatë, Departamenti i Shtetit i porositi shtetasit amerikanë të tregojnë kujdes të shtuar në vendet ku mund të ketë grumbullime qytetarësh amerikanë apo të huaj, si në ndërtesa të mëdha zyrash apo supermarkete.