Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, duke nderuar 6 milionë viktimat hebreje.
Në një reagim në rrjete sociale, ambasada përmend mbështetjen që tregoi Shqipëria gjatë kësaj periudhe të errët, e cila strehoi dhe mbrojti shumë hebrenj nga nazistët.
Po ashtu, ambasada e SHBA-së thotë se mbështesin përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke përmendur miratimin e “Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët”.
Ambasada thekson mes të tjerash se është përgjegjësi e të gjithëve për të punuar së bashku drejt një të ardhmjeje më të mirë pa dhunë dhe urrejtje mes njerëzve.
Mesazhi i plotë:
Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, ne nderojmë gjashtë milionë viktimat hebreje të Holokaustit dhe ritheksojmë përgjegjësinë tonë të përbashkët për të kujtuar të kaluarën dhe për të punuar drejt një të ardhmeje pa dhunë dhe urrejtje.
Siç ka thënë Sekretari Rubio, “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë”. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për t’u përballur me antisemitizmin dhe shtrembërimin e Holokaustit. Ne e njohim historinë e veçantë të Shqipërisë si një nga të paktat vende të pushtuara nga nazistët ku hebrenjtë gjetën strehim, falë guximit të shqiptarëve të zakonshëm. Ne mirëpresim partneritetin e vazhdueshëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, siç është miratimi i saj vitin e kaluar i Praktikave më të Mira për Parimet e Konferencës së Uashingtonit mbi Artin e Konfiskuar nga Nazistët, të cilat çojnë përpara drejtësinë dhe kompensimin për pronën kulturore të periudhës së Holokaustit.





