Ambasada e SHBA në Tiranë në një njoftim për mediat është shprehur se është zbuluar një skemë mashtrimi, ku disa persona, në emër të përfaqësisë diplomatike amerikane premtonin udhëtime falas apo viza me kosto të ulëta.
Ambasada deklaroi se është në dijeni të një të projektit të njohur si “Let’s Talk Together About US24.”
Sipas këtij institucioni, ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet arsimore ose personelin e ambasadës.
Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA thuhet se po vazhdon punon me Policinë e Shtetit, teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.
Njoftimi i ambasadës:
Ambasada e SHBA është në dijeni të një të ashtuquajturi projekt të njohur si “Let’s Talk Together About US24.” Ky grup nuk ka asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA, Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Arsimit të SHBA, programet tona arsimore ose personelin e ambasadës. Shërbimi i Sigurisë Diplomatike i Departamentit të Shtetit të SHBA do të vazhdojë të punojë me Policinë e Shtetit teksa ajo heton përmasat e kësaj skeme mashtruese.
U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të kujdesshëm ndaj mashtrimeve që garantojnë udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara, si dhe viza amerikane pa pagesë ose me kosto të ulët. Gjithashtu, i bëjmë thirrje kujtdo që të kontaktojë Ambasadën e SHBA nëse dyshon se ndonjë person ose organizatë përpiqet të paraqesë veten në mënyrë të gënjeshtërt si të lidhur me ambasadën.